Rrëshen-Kalimash, inertet e rrugës rrezikojnë udhëtarët
MIRDITË- Makinat e rënda që bartin inerte, rërë apo dhera për llogari të firmave nënkontraktore në autostradën Rrëshen-Kalimash, janë kthyer në një problem shqetësues për automjetet e tjera që lëvizin në aksin nacional për në drejtim të Kukësit, Kosovës a në të kundërtën nga andej për Tiranë. Jo vetëm për tymnajën e pluhurit që dyndin gjithandej nga degëzimet e futjeve për në kantiere, gjë për të cilën kompanitë kanë detyrimin e lagies me ujë të këtij aksi ku ka dhe qendra të banuara, por për faktin se makina të super- tonazhit të rëndë, bartin material të llojllojshëm pa i mbuluar me mushama, ashtu siç e kërkojnë taksativisht rregullat e qarkullimit rrugor në raste të tilla. Kjo ka bërë që aksi nacional i asfaltuar nga Rrësheni për në Shpal, madje dhe pjesa më poshtë Milot-Rrëshen, në pjesën dërrmuese të vendeve, të jetë i mbuluar nga materiali inert i rënë nga karroceritë e qindra makinave të tonazhit të rëndë. Më e dukshme bëhet kjo dukuri e rrezikshme nëpër kthesa, ku përgjithësisht ky aks është thuajse i tëri i tillë, për shkak të terrenit të vështirë e të thyer. Rënia e këtij materiali nëpër kthesa sjell mbushjen thuajse të gjysmës së rrugës, kjo bën që makinat e tjera gjithnjë të përballen me rrezikun e bllokimit të rrugës dhe shkarjes në greminë.
I. Cenga, i cili vjen nga Kukësi me autoveturën e tij, rrëfen se as vetë nuk e di si ka shpëtuar nga aksidentet. “Zoti ishte me mua dhe familjen time, pasi në një kthesë afër Gëziqit do të kishim fluturuar në greminë. Gjysma e rrugës në kthesë ishte me zhavorr që ka rënë nga makinat pa mushama, dhe mua më iku makina nga kontrolli. Për kilometra të tëra e ndeshim këtë pamje”,- thotë ai. Edhe shoferët e autobusëve të Kosovës, që bëjnë rrugën për në bregdet, sidomos me pasagjerë të shumtë, thonë se makinat e rënda na e kanë vështirësuar kalimin tonë nëpër këtë aks, për arsye të zhavorrit që ato lëshojnë. Njëri prej tyre, A. Zymi thotë se askund nëpër rrugët e Perëndimit nuk mund të lejohet që makinat e kantiereve të ndërtimit të shkatërrojnë gjithçka në rrugë dhe të mos mbajnë përgjegjësi.
Duke ndjekur disa makina si për të vërtetuar shqetësimet e dhjetëra drejtuesve të automjeteve nga Kukësi, Puka, Mirdita, apo Kosova e largët, në terren vërtetohen pikë për pikë ajo që ato thonë. Kemi ndjekur për disa kilometra itinerarin e këtij aksi. Dy makina të tonazhit të rëndë që kemi para, nuk kanë mushama përsipër, ndërsa mbajnë zhavorr për në stacionin e Gëziqit të Autostradës, të kompanisë Bechtel-Enka, kur në fakt kjo kompani ka shpallur si “numër një” sigurinë në rrugë. Spondat e karrocerive rrjedhin zhavorr që na përplaset në parakolp apo dhe në xhama pa pushim përgjatë rrugës. Më poshtë makina të kompanisë nënkontraktore, gjithashtu të ngarkuara me dhera e zhavorr, nuk kanë asnjë mushama përsipër ndërsa hyjnë e dalin si “mizat” nga kantieri për në aksin nacional pa asnjë masë të sigurimit teknik për qarkullin rrugor.
Duke parë këto makineri tek lëvizin si t’ua dojë qejfi, ia kanë marrë dorën dhe të tjera kompani që kanë filluar të hapin biznese afër aksit nacional. Dhjetëra kamionë me targa të Kavajës që punojnë si nënkontraktorë të kompanisë austriake “Strabac”, shtegtojnë pa mushama me argjilën që dërgojnë në gropën e demolimit të metalurgjisë së bakrit në afërsi të Rubikut. E gjitha kjo ka bërë që në rrugë të formohet një “mishelë” inertesh duke e zhbërë aksin nacional të asfaltuar dhe duke përbërë një kërcënim serioz për makinat e tjera që kalojnë aty. Jo pak herë kanë ndodhur aksidente e përplasje, ndërsa policia rrugore, nuk është në gjendje t’i kontrollojë e ndalojë ato, pasi “statusi” i këtyre kompanive është i tillë që porositë për të mos i penguar vijnë nga lart, si për të zbatuar ligjin apo për të vepruar në kundërshtim me të. Dhe në rastin konkret këto kompani me makinat e tyre veprojnë apriorisht kundra rregullave të qarkullimit rrugor nën bekimin absurd të njerëzve të ligjit në kurriz të qytetarëve.