Rreshjet cojnë në nivel rekord eksportin e energjisë
TIRANE- Eksporti i energjisë elektrike ka kapur sot kuotat maksimale fale rreshjeve të bollshme që kanë rritur ndjeshëm nivelin e ujit në kaskadën e lumit Drin. Burime zyrtare nga Koorporata elektroenergjetike shqiptare bëjnë të ditur se po eksportohen 10 milionë kilovat/orë në ditë nga të cilat 5.5 milion kilovat/orë u shiten kompanive zvicerane EGL dhe EFT që u shpallën fituese në tenderin për janarin , ndërsa pjesa tjetër po shkëmbehet me Kosovën. Drejtuesit e KESH-it deklarojnë se energjia që po shkëmbehet do të tërhiqet në periudhat e mëvonshme. KESH-i parashikon të vazhdojë eksportin deri në fund të muajit maj. Të ardhurat që do të sigurohen nga shitja e energjisë do të ëprdoren për të shlyer borxhet e Koorporatës. Rritja e ndjeshme e eksportit po mundësohet edhe falë nivelit të ulët të konsumit të energjisë për shkak të ditëve të pushimit në biznese dhe administratë. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në shkallë vendi konsumohen 18.5 milion kilovat/orë ose 3 milionë më pak se në ditët e zakonshme. Rreshjet e dendura të shiut kanë dyfishuar prirjet e ujit në liqenin e Fierzës. Drejtuesit e KESH deklarojnë se Fierza po shfrytëzohet me kapacitet maksimal për të mos lejuar rritjen e mëtejshme të nivelit të ujit. (e.n/News24/BalkanWeb)