E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria dhe planeti Tokë

Mirton Resuli Eshtë Shqipëria pjesë e planetit Tokë? Kjo pyetje, kaq fëminore dhe paradoksale në dukje, shfaqet pa dashur në mendjen e gjithë atyre që për arsye të ndryshme, ose thjesht për një filozofi jetese personale, e mendojnë veten si pjesë e një sistemi më kompleks se lagjja ku banojnë. Marr shkas nga tragjedia e ndodhur në Haiti. Ky shtet i varfër i Karaibeve është shkatërruar  në 12 janar nga një tërmet i fuqishëm 7 ballësh që ka shkaktuar më shumë se 200 mijë të vdekur, qindra mijëra të sakatosur, dhe një rrënim thuajse të plotë të ekonomisë.  Një katastrofë e tillë ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik botëror, dhe nuk mund të ishte ndryshe, sepse kur ndodhin fatkeqësi të tilla, njeriu me gjithë teknologjinë dhe njohuritë e veta, nuk di si t’i përballojë. Atëherë na zë një ndjenjë frike instinktive, dhe individi kërkon të shmangë shijen e hidhur duke kërkuar tjetrin, komunitetin e afërt dhe të largët.Një solidaritet kombëtar të tillë ne e përjetuam gjatë përmbytjeve të frikshme dhe shkatërruese në Veri (por relativisht, jo aq tragjike sa ato haitiane). Në rastin e Haitit e gjithë bota u tregua sensibël, organizoi programe të posaçme, llogari bankare, ndihma humanitare. Jo pak familje perëndimore të kamura, por edhe punëtorë të thjeshtë kërkuan të adoptonin të paktën njërin prej jetimëve të vegjël të asaj pjese aq pafat të rruzullit tokësor.Tragjedia e Haitit të varfër nuk është e pashembullt. Natyra është një cikël tragjedish, për fat të keq: Në 2005-ën, New Orleans, pra një qytet historik i Shteteve të Bashkuara, u përmbyt si pasojë e uraganit Katrina. Vetëm gjashtë muaj përpara, në dhjetor 2004, të gjithë ndoqëm pamjet rrëqethëse të cunamit në Oqeanin Indian, edhe ai vdekjeprurës.Në atë rast, pata mënyrë t’i dërgoja online një pyetje të thjeshtë njërit prej analistëve më në modë në Shqipëri, rreth provincializmit të tepruar të mediave tona. Lajmi i cunamit nuk ishte titull i parë i asnjë prej gazetave shqiptare, ndërkohë që pushtonte headlinë-t e gjithë gazetave më prestigjioze në botë, nga New York Times te Le Monde, nga Corriere della Sera tek El Pais. Edicionet e lajmeve, nga BBC deri tek televizioni lokal suedez, ju kushtuan pothuajse totalisht tragjedisë së atëhershme. Normalisht, sipas mundësive. Dikush dërgoi dhjetëra gazetarë dhe transmetonte 24 orë live, dikush vetëm një, të tjerë nuk dërguan as edhe një gazetar, por mbuluan evenimentin me analiza, debate, apele për fonde dhe ndihma humanitare.  Kjo klimë solidariteti zgjati me ditë, dhe lajmet nuk ndaluan së ardhuri me javë të tëra.   Mediat shqiptare, përkundrazi, dhanë lajmin e thatë, në faqet e mesit, ku normalisht gjejnë vend lajmet nga Bota dhe rajoni, sa që një lexues i rregullt shqiptar, që të kishte kaluar pa parë mediat nja dy ose tre ditë, në atë periudhë festive, as nuk do ta kishte kuptuar që në Azi kishte ndodhur diçka që me të gjitha gjasat i afrohej Apokalipsit.Normalisht, opinionisti i atëhershëm më jepte të drejtë, dhe bashkohej me mua në mendimin që ekzistonte në Shqipëri një farë sindrome, “sindroma e fshatit” le të themi, që ndalonte çdolloj tentative internacionalizimi të mediave dhe opinionit publik shqiptar.Pak a shumë, në 2010, ky fenomen nuk ka evoluar shumë, sindroma jo vetëm që nuk ka gjetur një kurë të posaçme, por ka arritur në një faze akute. Fenomen ky që meriton një analizë, ose të paktën një stimul për debat.Të jetë shkaku te mungesa e etikës ose te cinizmi i gazetarëve shqiptarë? Normalisht, edhe mediat kanë mungesa, buxhetore por edhe etike ndonjëherë. Shumë herë, madje, kanë edhe mungesa backgroundi dhe nuk përjashtohet gjithashtu mundësia që një gazetar ose analist të detajojë strategjinë e partive X apo Y, të parashikojë fatin e kësaj apo asaj figure institucionale, por të mos dijë të shkruajë dy rreshta jo banale për atë që ndodh në Afganistan, ngërçet që duhen zgjidhur për problemin e konfliktit palestinez, strategjinë e vendeve perëndimore kundrejt politikës agresive të Iranit, probleme që përballohen çdo ditë në faqet e shtypit botëror.Rruga nga Tirana në Teheran duket shumë e gjatë dhe e vështirë, për ata. Shqiptarët janë mësuar me rrugët e vështira, e dinë që edhe rrugët më të vështira duhet të ndërmerren,. Rëndësi ka që të ketë interes. Dhe interes, me sa duket, thjesht nuk ka.Problemi qëndron në një dizinteres të thellë të opinionit publik shqiptar, ndoshta në përgjithësi të shoqërisë shqiptare sot, ndaj gjithçkaje që shkon tej “gardhit” tonë, tej diskutimeve nëpër tavolinat e lokaleve. Një gardh i ngushtë, për hir të së vërtetës, që shndërron  çdo debat  në thashethem, ku aktorët kryesor të jetës politike dhe shoqërore janë tepër të kapshëm, në restorante, supermarkete, në palestër ose në një dasmë. Tosi, Edi, Sala, Liri, Miri: edhe personazhet më të rëndësishëm të shtetit, në fjalorin e përditshëm, trajtohen si shoku i ngushtë, ose kushëriri i dytë. Gjëra normale, për një vend të vogël, por me një Ego historikisht të madhe. Gjithçka është afër nesh, gjithçka prekim me dorë ose shohim me sy. Aq shumë është i rrënjëzuar ky “modus vikendi”, saqë ndoshta gjithçka që është larg, na duket thjesht e pakapshme, një lloj totemi për të cilin nuk diskutohet gjatë dhe me dëshirë. Nga ky totem, ne respektojmë gjithçka, por asgjë mund të themi pro ose kundër atij.Ja pra ku ndodh që faqet e para të gazetave shqiptare, ose titujt e lajmeve, të mbushen me deklaratat e ambasadorëve dhe politikanëve të huaj për vendin tonë, por edhe me përshtypjet shumë të rëndësishme të një stazhisteje perëndimore mbi krizën e kutive, rrahjen e gazetareve, korrupsionin, trafikun, bukën e misrit. Gjithçka do meritonte doemos një titull, që do fillonte detyrimisht me fjalë të tipit “Ndërkombëtarët: Bla bla”.Ne i adhurojmë këto “perëndi” që vijnë nga Perëndimi, por nuk i kuptojmë ata. Dhe akoma më pak kuptojmë që ka ardhur koha për Shqipërinë të jetë pjesë e atij Perëndimi, si shoqëri ama dhe jo vetëm si një flamur që valëvitet në selitë e organizatave ndërkombëtare.Që të bëhesh pjesë e një familjeje të komplikuar si ajo evropiane, duhesh të marrësh përsipër edhe detyrat, duke mos ndaluar vetëm në favoret që familja të ofron. Në këto detyra hyn edhe ajo që mund të quhet sensi i përgjegjësisë, për veten por edhe për të tjerët.është ky faktori që shtyn  botën e zhvilluar të interesohet për Haitin, Indonezinë, New Orleans, ose për vetë Shqipërinë, disa vjet më pare. është përgjegjësia që shtyn mediat e mbarë Evropës por edhe të SHBA që të mbajnë në plan të parë lajmet për krizën ekonomike ku ka përfunduar Greqia. Sepse ata e dinë që molla e kalbur kalb gjithë shportën. Fakti që shteti fqinj, dhe me atë rreth 500 mijë shqiptarë që punojnë aty, rrezikon kolapsin pa ndihmën e menjëhershme të BE, na lë përgjithësisht të qetë. Ose më mire (në fakt më keq), pa opinione. Dhe kur një gjë e tillë ndodh kundrejt një vendi kaq strategjik për ne, mund të imagjinohet çfarë ndodh për problemet që mund të ketë Islanda, Argjentina, Korea e Jugut. Edhe vendet e tjera të rajonit na interesojnë, vetëm për faktorin shqiptar. Na intereson Serbia si palë kundërshtare në çështjen kosovare, jo problemet ekonomike politike ose shoqërore të atij vendi. Duam anëtarësimin në Bashkimin Evropian, dhe dikur ky hap do të kryhet. Por anëtarësimi, për paradoks, do të jetë një proces më i thjeshtë sesa të arrijmë të konsiderojmë problemet spanjolle, bullgare apo lituaneze si ato tonat: Të udhëtosh dhe punosh lirisht nëpër Evropë nuk do të thotë doemos të jesh evropian. Të kenë ndikuar kaq shume 50 vjet izolacionizëm në mentalitetin tonë, të jete ai regjim, të cilit akoma i gjenden bëmat nëpër male, shkaktar i një tjetër gjenocidi ndaj popullit shqiptar, ai kundër vlerave komunitare, sensibilitetit, dëshirës reale për një integrim të plotë? Valle, të na kenë dërguar ato pa dijeninë tonë, jashtë rruzullit tokësor?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›