Topi: Tryeza e dialogut do vazhdojë
Tryeza e dialogut mes opozitës dhe maxhorancës do të vazhdojë. Deklarata u bë nga presidenti Topi në përfundim të takimit të sotëm mes kryeministrit Berisha dhe kryetarit të PS, Edi Rama. Edhe pse biseda e djeshme nuk dha një rezultat pozitiv, kreu i shtetit vlerësoi gatishmërinë e palëve për t'u ulur në tryezë dhe rifillimin e dialogut mes tyre. "Unë besoj që momenti me pozitiv i ditës së sotme është predispozicioni për t'u ulur në tryezë, rifillimi i dialogut politik. Ky ishte një angazhim reciprok i palëve, të cilat vlerësuan tryezën, iu referuan në mënyrë të qartë pikave të rezolutës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, natyrisht duke shprehur edhe pozicionet e tyre specifike. Mendjet racionale duhet të kuptojnë që është realizuar një moment shumë i rëndësishëm i demokracisë: rifillimi i një komunikimi të drejtpërdrejtë, jo nga distancat, por në tavolinë. është substanciale për demokracinë në Shqipëri, për institucionet e saj që ky bashkëpunim të vazhdojë në të mirë të së ardhmes së shoqërisë shqiptare" tha Topi. Kreu i shtetit i dha një shpjegim dhe mosarritjes së një përfundimi pozitiv të tryezës së djeshme që tentonte zgjidhjen e krizës politike në vend. Sipas tij, marrëdhëniet e acaruara maxhorancë-opozitë nuk mund të sillnin rezultate të menjëhershme. "Duhet të jemi koshientë që i gjithë "background"-i i këtyre marrëdhënieve, në një kontekst të caktuar, patjetër që nuk bënë që biseda, apo dialogu të dalë në përfundime ekstremisht pozitive", u shpreh Topi. Presidenti i Republikës dha dhe konkluzionet që dolën nga bisedimet tre orëshe në godinën e Presidencës. "Ne sot ramë dakord që Presidenti të vazhdojë, dhe termi më i gjetur besoj, që ramë dakord, ishte që të eksplorojë, ndoshta po shkojmë në terma jo shumë shqiptarë, por të kërkojë konvergjencën, edhe ky është term internacional, i cili kuptohet nga të gjithë, pikat ku palët mund të gjejnë gjuhën, mund të bashkëpunojnë dhe sigurisht kjo jep shpresë që kjo tryezë, së bashku me elementë të tjerë që kanë të bëjnë jo thjesht vetëm me faktorët politikë, por edhe ekspertizë, gjithmonë mbi bazën e vullnetit politik të shprehur, të vazhdojë dhe të japë garanci që demokracia në Shqipëri do të jetë funksionale, do të jetë efikase në funksion të interesave më madhore të popullit shqiptar", u shpreh Topi. Kreu i shtetit nuk harroi të falënderonte dhe përpjekjet e faktorit ndërkombëtar për ët gjetur zgjidhje të krizës, që sipas tij janë angazhuar dhe do të vazhdojnë të angazhohen që palët të gjejnë zgjidhjen e duhur.