E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëshqitjet :Akset rrugore të bllokuara nga uji, dhjetëra banesa mbushen nga reshjet

Shiu që ka vazhduar me furi dhe pa ndërprerje prej 2 ditësh, ka rikthyer problemet serioze në qytetin e Durrësit. Pothuajse të gjitha akset rrugore të bllokuara pas mosfunksionimit të kanalizimeve, por edhe lagje dhe dhjetëra banesa kryesisht në plazh, ish-Kënetë dhe lagjet 18 e Spitallë, gjenden nën pushtetin e ujit. Durrësi dje u kërcënua sërish nga reshjet e pandërprera dhe moti i keq. Shiu ka rikthyer rrezikun e përmbytjeve, ndonëse hidrovorët që punojnë pa ndërprerje e po mbajnë nën kontroll vërshimin e ujërave. E rrezikuar ka qenë prej dy ditësh edhe kodra e qytetit, pasi atje janë ngritur prej vitesh pallate e banesa. Rrëshqitjet e dherave dje kanë krijuar çarje serioze në murin rrethues tek Vila e Zogut, siç njihet ndryshe objekti 78-vjeçar. Moti ka sjellë vështirësi edhe në lundrim. Anijet nën 3 mijë tonë kanë qëndruar të ankoruara, ndërsa tragetet me Italinë kanë vijuar lundrimet, ndonëse gjatë tyre janë hasur vonesa 1-2-orëshe. Reshjet e dendura kanë krijuar situatë problematike sidomos në zonat periferike, të cilat janë brenda vijës së verdhë të Bashkisë së Durrësit. Pellgjet e ujit kanë vënë në vështirësi serioze jo vetëm kalimtarët, por edhe shoferët, pasi disa segmente rrugore për disa orë kanë qenë thuajse të pakalueshme. Rruga që lidh Durrësin me qytetin e Shijakut dhe përshkon në mes Shkozetin, është kthyer në tmerrin e të gjithë shoferëve dhe të banorëve. Po ashtu, vështirësi janë hasur nga përmbytjet edhe në ish-Kënetë dhe Porto Romano. Por nga vërshimi i ujërave nuk kanë shpëtuar as lagjet qendrore të Durrësit. Vetëm një muaj më parë, Durrësi pësoi përmbytje masive, ku qindra objekte u pushtuan nga uji, por ende për pronarët nuk është akorduar ndonjë ndihmë konkrete. Bashkia ka kërkuar mjetet e rënda të Autoritetit Portual, për të përballuar situatën e krijuar. Nga ana e saj, bashkia ka angazhuar prej mëngjesit të djeshëm mjetet e rënda si ekskavatorë dhe fadroma për të larguar dherat masivë që bllokuan rrugën drejt Currilave.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›