E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti, reshjet e shiut dhe dëborës mbulojnë vendin

Dëbora dhe reshjet e shumta kanë mbuluar përgjatë këtyre ditëve vendin tonë, ndërkohë që dje bora ka filluar për herë të parë për këtë vit edhe në kryeqytet. Policia Rrugore vazhdon të njoftojë dhe të këshillojë drejtuesit e automjeteve që në disa akse rrugore të përdorin zinxhirët për shkak të ngricës apo trashësisë së dëborës. Burime zyrtare nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile vënë në dispozicion situatën e reshjeve të shiut dhe dëborës në të gjitha qarqet e vendit. Sipas burimeve zyrtare, në qarkun e Shkodrës ka pasur reshje shiu, me intervale. Në lartësitë mbi 600 m ka pasur reshje dëbore, ndërsa në rrethin e Pukës dy ditë më parë dhe dje ka pasur reshje bore. Me vështirësi kalohet rruga Qafë-Mali - Fierzë, pasi në këtë aks trashësia e borës ka arritur deri në 40 cm, ndërsa në orët e para të mëngjesit ka pasur edhe ngrica. Në këtë aks rrugor, nga efektivat e qarkullimit rrugor lejohet të qarkullojnë vetëm mjetet e vogla dhe me zinxhirë, ndërsa mjetet e rënda janë bllokuar për shkak të sigurisë në rrugë. Komuna e Iballës është bllokuar përsëri nga reshjet e borës. Drejtoria Rajonale e Rrugëve vazhdon hedhjen e kripës dhe skorieve, për të mundësuar kalimin normal të automjeteve në të gjithë akset rrugore. Nga Shkodra për në Dukagjin qarkullohet nga Mali i Shoshit, por me vështirësi dhe me zinxhirë. Në qarkun e Lezhës, situata paraqitet normale, pa probleme, ndërsa në rrethin e Mirditës, ka pasur reshje shiu dhe situata rrugore është përmirësuar ndjeshëm. Nuk ka asnjë rrugë të bllokuar. Në rrethin e Kukësit ka pasur dje reshje të dobëta shiu dhe në lartësitë mbi 400 reshje bore, pa ngrica, për rrjedhojë nuk ka akse rrugorë të bllokuar. Në aksin rrugor Qafë-Mali - Qafë-Shllak, trashësia e borës ka arritur në 40 cm, por në disa lugina edhe më tepër për shkak të grumbullimit të borës nga era. Në këtë aks kalohet me vështirësi dhe me zinxhirë. Qarkullimi lejohet vetëm për mjetet e vogla, ndërsa trajlerat janë ndaluar prej efektivave të qarkullimit rrugor. Në këtë qark komuna e Arrnit vazhdon të jetë e bllokuar. Në drejtim të komunave Grykë-Çaj, Bushtricë, Zapod dhe Lekbibaj, qarkullohet me vështirësi dhe në segmente të veçanta për shkak të ngricave, me zinxhirë. Gjithashtu, edhe në këtë qark ka pasur reshje të pakta bore. Reshje bore më intensive ka pasur në rrethin e Bulqizës. Në qytetin e Bulqizës trashësia e borës është 15 cm, ndërsa në zonat rurale ka shkuar deri në 30 cm. Efektivat e qarkullimit rrugor dhe Drejtoria Rajonale e Rrugëve kanë punuar në vazhdimësi gjatë gjithë natës dhe rrugët janë të gjitha të kalueshme, por në segmente të veçanta me zinxhirë. Rruga që lidh Peshkopinë me Lurën, vazhdon ende e bllokuar, por lidhja e komunës Lurë realizohet me vështirësi, nëpërmjet Kurbneshit. Në të gjithë territorin e qarkut, përveç komunës së Trebishtit, e cila u bllokua dje në mëngjes për shkak të borës së rënë me intensitet të lartë, komuna të tjera nuk ka të bllokuara. Në të gjithë qarkun përgjatë këtyre dy ditëve ka pasur reshje të dobëta shiu dhe në lartësitë mbi 400 m, reshje të dobëta bore. Ndryshe është paraqitur situata në të gjithë qarkun e Korçës, ku bëhet e ditur se ka pasur reshje bore. Në qytetin e Korçës lartësia e borës është deri në 15 cm. Forcat dhe mjetet e Drejtorisë Rajonale të Rrugëve dhe të Policisë së Qarkullimit Rrugor janë në gatishmëri të lartë dhe në inspektim të vazhdueshëm. Nuk ka pasur probleme shqetësuese apo akse rrugorë të bllokuara. Dje rreth orës 20:40, në rrugën Pogradec - Qafë-Plloçë, pak para lartësisë maksimale, rrëshqiti një masiv dheu nga skarpata e sipërme e rrugës dhe për pasojë u bllokua kalimi i mjeteve për rreth 2 orë. Subjekti kontraktor mundësoi heqjen e dheut dhe aktualisht po qarkullohet me një kalim. Në ndihmë të saj ka shkuar edhe një ekskavator i Bordit të Kullimit dhe mendohet që pasdite rruga të hapet plotësisht. Aksi rrugor Voskopojë - Lekas përsëri u bllokua dje nga reshjet e borës. Për shkak të temperaturave tepër të ulëta do të vështirësohet hapja e rrugës, sepse bora është e ngrirë. Në qarkun e Elbasanit iu kërkua Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura mbështetje me një fadromë, kërkesë që u plotësua menjëherë dhe dje në orët e para të mëngjesit fadroma mbërriti në Librazhd dhe filloi nga puna për hapjen e rrugës për në fshatin Qarishtë, të komunës Qendër. Të bllokuar nga bora janë fshatrat Polis dhe Vilan, komuna Polis dhe fshati Skënderbej në komunën Rrajcë, në rrethin e Librazhdit. Inspektorë të EC të qarkut së bashku me kryetarin e komunës, shkuan në vendngjarje dhe familjarët e dy banesave të dëmtuara u strehuan përkohësisht tek të afërmit e tyre. Nga qarku kërkohet të kryhet një studim nga një ekip gjeologo-inxhinierik i Shërbimit Gjeologjik, në lidhje me qëndrueshmërinë e formacioneve gjeologjike të tokës. Ndërsa në qarkun e Gjirokastrës situata ka qenë normale, përveç një rrëshqitjeje dheu të dy ditëve më parë, ku u bllokua rruga Tepelenë - Gjirokastër, në afërsi me Urën e Subashit, por që falë ndërhyrjes së shpejtë nga ana e Drejtorisë Rajonale të Rrugëve, u bë e mundur që rruga të hapej pas 30 minutash.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›