E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqitjet në Gramsh, Gjiknuri: Shteti i harroi

GRAMSH- Banorët e Kukurit, nën mbështetjen e deputetit Damian Gjiknuri kanë zhvilluar një tubim në shenjë revoltimi ndaj qeverisë. Sipas tyre qeveria nuk ka marrë asnjë masë për ti siguruar strehim pas rrëshqitjeve masive të dherave në këtë zonë. Ka një muaj që banorët flenë në qiell të hapur apo në kolibe të sajuara me plastmas. Ky tubim është zhvilluar me mbështetjen e deputetit të PS, Damian Gjiknuri.

“Njerëzit janë ngritur në një revoltë. Kanë të drejtë të revoltohen, pikërisht, për këtë harresë në të cilën i ka lenë qeveria shqiptare. Ky fshat ka kohë që është ndodhur përballë fenomeneve të natyrës, shtëpitë janë shkatërruar, të mbjellat janë shkatërruar megjithë përpjekjet që kanë bërë edhe pushteti vendor për të kërkuar ndihmë, asnjë ndihmë nuk ka ardhur. Askush nga qeveria nuk e ka vrarë mendjen, as nga prefektura, as nga gjithë strukturat.” – u shpreh Gjiknuri

Ndërsa një banor i Kukurit duke i kërkuar ndihmë qeverisë, ashtu sic ajo në kohë zgjedhjesh I kërkon votën shprehet, “Komplet, po bën 1 muaj e tre ditë që po rrimë këtu në këto shtëpi, ja ku është kolibja, s’kam ku vete. E kam çadrën s'kam ku ta ngre. Shteti të vërë dorë tek këta njerëz, ashtu siç shteti ka nevojë kur vjen ajo ditë për votën, ashtu kam nevojë edhe unë sot. Kam sot e një muaj po rrimë vetë i shtati këtu në këto shtëpi të shkatërruara. i pata shtëpi të reja, dhe u fundosën krejt nën dhe.”

Sipas Gjiknurit, qeveria nuk ka lënë në harresë vetëm banorët e Kukurit, por gjithë rrethin e Gramshit, ku me mijëra njerëz jetojnë në varfëri ekstreme.
“Realisht kjo është një revoltë popullore nga një gjendje tepër mjerane, tepër e vështirë që po jeton jo vetëm populli i kësaj zone, por i gjithë rrethit të Gramshit. Fatkeqësisht rrethi i Gramshit mund të quhet me gjithë kuptimin e fjalës një rreth i harruar. Kjo është një qeveri e cila nuk interesohet fare për fatin e këtyre njerëzve. Janë me mijëra e me mijëra njerëz, të cilët po jetojnë në një varfëri ekstreme dhe kanë gjithë të drejtën e Zotit të ngrihen të revoltohen për këtë situatë të papranueshme nga kjo keqqeverisje e vendit” - thekson deputeti i PS.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›