E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga dëshmitarit në gjyq, mbrojti Lul Berishën

27/04/2010 Prokuroria urdhëron arrestimin e Eqrem Kazazit, makina e bandës, “mollë sherri”

Lulzim Berisha del në radhë të parë brenda kafazit, reagon herë pas here

TIRANË- Një dëshmitar u prangos dje në sallën e gjyqit, teksa përpiqej të mbronte Lulzim Berishën, kapon e Bandës së Durrësit. Eqerem Kazazi, 42 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në lagjen numër 5, Kavajë, u fut në furgonin e policisë të komisariatit numër 2 në orën 14.00, me urdhër të prokurorit Anton Martini. Prangat në duart e dëshmitarit u vendosën pasi më parë ai u pyet me këtë cilësi në lidhje me një makinë të shitur shokëve të Lulzim Berishës, e cila u përdor për të vrarë Viron Currin dhe Marsel Sotirin dy shokët e Dritan Sollakut. Ka pas njohje me anëtarët e bandës dhe i ka ndihmuar për makinë, por dje mohoi gjithçka. Për gati dy orë gjatë marrjes në pyetje para gjykatës, Eqerem Kazazi, i dënuar në vitin 1997 për armëmbajtje pa leje, mohoi të kishte njohje me Marsel Sotirin dhe Lulzim Berishën. Po ashtu ai tha se nuk ka njohur asnjë nga personat që janë duke u gjykuar. Gjatë gjithë kohës ai i thoshte gjykatës se nuk mbante mend, nuk njihte njeri dhe nuk kishte dëgjuar kurrë më parë për këta persona. Por ndërkohë në deklarimet e dhëna në Policinë Gjyqësore në vitin 2006, Kazazi ka bërë të kundërtën. Dëshmia e tij u bë mes tensioneve dhe kundërshtimeve të herëpashershme nga të pandehurit, avokatët dhe prokurori, i cili urdhëroi arrestimin. I pyetur nga akuza se kur ishte arrestuar, Kazazi tha se nuk mbante mend vitin.

Ndryshimi i dëshmisë

Gjatë gjithë kohës mundohej t’i fshihej deklarimeve duke bërë të paditurin. Prokurori e pyeti edhe për shokun e dhomës së burgut, e dëshmitari nuk e mbante mend. Një tjetër pyetje ishte nëse e njihte apo jo Lulzim Berishën, dhe ai tha se nuk kishte dëgjuar emrin e tij para se ta shihte në televizor. “A e ke takuar Lulzim Berishën?”, e pyeti prokurori. “Unë mbaj mend që një herë tek bingoja ime që e kisha në qendër të Kavajës me të njëjtin emër, ka ardhur një person me emrin Titi. Ishte i shoqëruar me 2-3 të tjerë. Unë nuk u prezantova me këta persona. Unë Titi Hasën me këtë emër e njoh nuk e di se e ka Petrit. Dhe nuk e di nëse ka qenë në burg apo jo Titi”, vazhdoi ai. Kjo ka qenë një nga pikat e kundërshtimit të akuzës. Në thëniet e para Kazazi është shprehur se ka qenë në burg me Tit Hasën dhe se e ka njohur Lul Berishën në bingon e tij në Kavajë. “Unë kam pasur një bingo në Kavajë dhe e kam filluar aktivitetin nga viti 1995 deri në vitin 1996. Në bingo vinin shumë çuna nga Durrësi e Kavaja. Jemi 8 vëllezër dhe kemi pasur rreth 20 makina. I kemi shitur. Kam pasur një makinë “Golf dysh”, të cilën ia kam shitur shtetasit Ervin Kariqit. Ky ka vdekur, por nuk e di se në ç’rrethana, kur dhe ku. Ky nuk ka qenë shok me mua, por me vëllain tim Ervin Kazazi. Kam dhe një vëlla me emrin Spartak Kazazi. Ndërkohë që Ermir Dervishin për të cilin më pyesni e kam njohur nëpërmjet Ervin Kariqit. Të gjithë ishin çuna të rinj dhe nuk ia mbaj mend moshën. Unë e di që çelësat e makinës golf ia kam dhënë disa herë Ervin Kariqit. Ndërsa për Adriatik Colin për të cilin më pyesni unë nuk e njoh”, tha dëshmitari. Coli nga ana e tij i përgjigjet se po gënjen. “Si nuk më njeh mua ti, unë të kam ardhur dhe në shtëpi”, ia ktheu ai. Ai tha se nuk njihte as Marsel Sotirin, i cili u plagos ditën kur u vra Viron Curri. Reagime në sallë erdhën dhe nga Lulzim Berisha, që deri tani qëndronte në heshtje. Disa herë Berisha iu drejtua gjykatës duke i thënë se po bëjnë një proces koti dhe dëhsmitarët e akuzës po manipulohen.

Thoma Curri akuzon Berishën

“Djalin ma vrau banda e Lulzim Berishës”

TIRANË- Thoma Curri, babai i Viron Currit, ish oficerit të doganës i vrarë në vitin 1998, drejtoi gishtin dje në sallën e gjyqit nga Lulzim Berisha. “Ditën e ngjarjes në datë 29 tetor 1998, djali ishte duke ardhur nga dogana me makinë së bashku me Marsel Sotirin. Marseli kishte vajtur ta merrte në punë dhe po ktheheshin. Unë vetë nuk kam qenë në vendngjarje, por kam mësuar nga shokët e djalit dhe nga nëna e Marsel Sotirit dhe vrasjen e kanë bërë Lulzim Berisha me shokët e tij. Nuk e di motivin përse e kanë vrarë djalin tim. Por di të them se nëna e Marsel Sotirit më ka ardhur në shtëpi pas vdekjes së djalit dhe më tha se e ka vrarë Lulzim Berisha. Ndërsa shokët e djalit më kanë shpjeguar se atë ditë, kur është qëlluar makina, Marseli ka arritur të largohet edhe pse u plagos, ndërsa djali im është vrarë në vend”, tha Thoma Curri, babai i Viron Currit. Ky i fundit ishte shok me Dritan Sollakun, i vrarë po në tetor të vitit 1998 në afërsi të shkollës “7 Nëntori” në Durrës. Bashkë me Viron Currin u vra edhe Arjan Paja. Më pas, atentatet nuk kanë reshtur. Më 5 korrik të 1999, Berisha në bashkëpunim me “ushtarët” e tij, vranë Eduart Ongarin, pasi ishte shoku i Marsel Sotirit dhe strehues i autorëve që vranë shokët e tyre, Ilir Xhunga e Arben Paja. Marsel Sotiri u vra në datë 22 gusht të 1999, duke përdorur një person tjetër si “karrem”, banda e Lulzim Berishës ekzekutoi Marsel Sotirin në vendin e quajtur zona e Plazhit në qytetin e Durrësit. I ekzekutuari i fundit, para se banda të ndahej më dysh ishte Dritan Disha, i njohur për lidhjet e tij me Sotirin. Të gjitha vrasjet kanë pasur një motiv. Ishte sherri për zonat e trafikut të drogës në qytetin e Durrësit. Ky ka qenë edhe motivi i ndarjes së bandës në dy pjesë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›