Apeli lë të lirë biznesmenin e kërpit, policia e konsideroi Cannabis
SHKODËR – Pas shumë debatesh, është lënë i lirë i arrestuari për historinë shumëvjeçare të kërpit industrial në Shkodër. Gjykata e Apelit në seancën e djeshme ka shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Shkodrës dhe ka lënë të lirë, Martin Pëllumbin. Vendimi i marrë nga Apelit ka hedhur poshtë vendimin e 20 korrikut të këtij viti, ku shkalla e parë e gjyqësorit vendosi masën e arrestit me burg për Pëllumbin. Martin Pëllumbi, ish kryetar i komunës së Shkrelit dhe kryetar i Shoqatës së Fermerëve të Shkrelit ishte arrestuar për të tretën herë me akuzën e kultivimit të bimëve narkotike. Sasia e madhe e asgjësuar në dhjetor të vitit 2005, me masë rreth 1 ton të dyshuar për kanabis pati një odise të gjatë hetimesh. Ajo u asgjësua për kanabis, u deklarua nga të akuzuarit si kërp industrial dhe pas shumë peripecish në fund u tha që ishte kërp.
Prangoset banda e vjedhjes së bagëtive, hetime edhe për një polic
KURBIN - Policia e Kurbinit ka arrestuar në flagrancë një bandë të vjedhjes së bagëtive teksa po vidhnin tri lopë në fshatin Fushë – Milot të rrethit të Kurbinit, ku përveç një punonjësi të repartit të Mbrojtjes kundër Zjarrit, dyshohet se është i përfshirë edhe një efektiv i forcave të rendit. Burime zyrtare të komisariatit të Laçit bëjnë të ditur se rreth orës 17.30 të ditës së hënë janë arrestuar në afërsi të fshatit Fushë – Milot shtetasit Preng Prendi, 44 vjeç, banues në fshatin Ishull Lezhë, si dhe shtetaset Flutura Kallaj, 42 vjeçe, lindur në fshatin Vishaj të Tiranës dhe e martuar në lagjen e Kombinatit në kryeqytet. Po ashtu, është ndaluar edhe fqinja e saj Thëllënza Sula, 35 vjeçe. Sipas tyre, këta tre shtetas, në bashkëpunim më njëri-tjetrin, kishin vjedhur tre kope në kullotë, të cilat po i transportonin me makinën me targa LE 4909A, në pronësi të shtetasit Preng Prendi. Burime zyrtare të policisë së Kurbinit bëjnë të ditur gjithashtu se Prendi, aktualisht është punonjës i repartit të Mbrojtjes kundër Zjarrit në rrethin e Mirditës. Nga hetimet paraprake, policia ka mësuar se aktiviteti i kësaj bande hajdutësh kishte rreth një vit që kishte nisur. Të tre këta persona dyshohet se ndihmoheshin nga një polic nga Shkodra, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimi. Policia po vazhdon mbledhjen e provave, për të dokumentuar edhe lidhjen e policit në këtë grup të organizuar grabitësish. Gjatë pyetjeve që ka bërë policia me tre të ndaluarit, dy gratë nga Tirana akuzojnë Preng Prendin si organizatorë të vjedhjes dhe se ai kishte vjedhur tre lopët. Ndërsa Prendi akuzon dy femrat si autore të grabitjes, duke pohuar se ai bënte thjeshtë transportin e mallit drejt Tiranës. Burimet policore shprehen se hetimet pritet të bëhen edhe në Tiranë, pasi dyshohet për një rrjet grabitësish të organizuar.
13 Gusht 2008