Delfini 2 metra i gjatë ngordh në plazhin e Tales
LEZHË - Një delfin rreth 2 metra i gjatë dhe me një peshë rreth 150 kilogram ka mbetur në bregun e detit, në plazhin e Tales në rrethin e Lezhës, duke tërhequr vëmendjen e shumë pushuesve. Ndërkohë që pushuesit kanë pasur rastin më të mirë që ditën e hënë pasdite të jenë edhe dëshmitarët të një “ sfilade” delfinësh, të cilët kanë bërë gjiron e radhës në plazhin e Tales. Por njëri nga delfinët i cili ka “guxuar” ti afrohet më shumë bregut të detit, nuk ka mundur ti bashkohet më tufës pasi ka mbetur në rrjetat e peshkatarëve. Megjithë përpjekjet e tij për të dalë, ai ka ngordhur. Sipas peshkatarëve të Tales, kjo tufë ka qëndruar gati 2 javë në afërsi të bregut të detit. Madje, syrit të pushuesve nuk iu kanë munguar edhe hedhjet e delfinëve, duke dhuruar kështu një kënaqësi. Kjo ngjarje nuk ka tërhequr aspak vëmendjen e institucioneve shtetërore apo shoqatave mjedisore. Delfini i ngordhur është lënë në breg të detit duke u bërë shkas për infeksion.
Sherri me armë në mes të Mamurrasit, arrestohet i vetëplagosuri
MAMURRAS - Policia e Kurbinit zbardh skemën e plagosjes së Leonard Bardhokut, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë në hyrje të qytetit të Mamurrasit. Burime zyrtare të policisë shprehen se “ditën e hënë në mbrëmje është bërë arrestimi në flagrancë i Lekë Bardhokut, i cili mbeti i plagosur dhe aktualisht po kurohet në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Sipas policisë, i vëllai i tij, Klajdi, 25 vjeç, tre ditë më parë ishte konfrontuar më një nga fqinjët e tij për parkimin e makinës. Pas përplasjes me grushte mes dy të rinjve, Klajdi ka shkuar në shtëpi dhe ka kërkuar ndihmën e vëllait. Sipas dëshmisë, Klajdi dhe Leonard Bardhoku, kanë marrë një pistoletë, të cilët e posedonin pa leje dhe janë nisur me makinë për të gjetur fqinjin. “Leonardi ka nxjerrë pistoletën për ta qëlluar, por pa dashur i ka tërhequr këmbëzën e shkrehjes dhe për pasojë është vetëplagosur Leonard Bardhoku”, - thonë burimet policore. Policia e Kurbinit ka mundur të gjejë armën e krimit si dhe makinën e dy vëllezërve Bardhoku, e cila ishte lënë tek disa të afërm të tyre në Fushë – Mamurras. Policia e Kurbinit në bashkëpunim me prokurorin ka shpallur në kërkim edhe Klajdi Bardhokun, ndërsa ka arrestuar vëllanë e tij të vetëplagosur. Akuzat e ngritur ndaj tyre është “vrasje e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje”.
13 Gusht 2008