E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezik përplasjeje me turin e kreut të PS-së

09/03/2010 Kryeministri Berisha deklaron nisjen e takimeve intensive me qytetarët

Kryeministri Sali Berisha do të nisë gjatë këtyre ditëve një tur në të gjithë vendit për t’u shpjeguar qytetarëve reformat e ndërmarra nga qeveria, ndërkohë që rivali i tij politik, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ka nisur prej kohësh takimet me bazën socialiste për të rrëfyer arsyet e lëvizjes së tij politike. Nuk përbën çudi që të ketë edhe një përplasje në të njëjtin qytet mes “Dialog me Shqipërinë” të Ramës dhe turit të Berishës, ku do të paraqiten qëndrime krejtësisht të kundërta. Nga njëra anë kryesocialisti, që pretendon për manipulimin e zgjedhjeve dhe keqqeverisje nga ana e mazhorancës, nga ana tjetër predikimet e Berishës për reforma të mëdha të qeverisë dhe pengesat që Rama u shkakton aspiratave të vendit për liberalizimin e vizave dhe integrimin në Bashkimin Europian.

Berisha

Gjatë mbledhjes së përjavshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike kreu i qeverisë tha se takimet me qytetarët në mbarë vendin e nuk do të kenë fund. “Dialogu ka për qëllim paraqitjen e reformave të qeverisë, tërheqjen e mendimit të qytetarëve, njohjen me veprimtarinë intensive të maxhorancës, e cila kurrë dhe në asnjë rrethanë nuk ka qëndruar e ngujuar në kuti”, - tha Berisha. Duke ironizuar me pretendimet e opozitës për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, shefi i ekzekutivit tha se tjetër është kutia e tjetër janë reformat, të cilat sipas tij gjatë këtyre muajve kanë ecur më shpejtë se kurrë në çdo fushë. Berisha tha se është e domosdoshme që qytetarët të njihem me rezultatet konkrete, me përpjekjet për liberalizimin e vizave dhe suksesin e rezultateve. “I ftoj edhe anëtarët e Partisë Komuniste, që janë në pension, që të shohin dhe të gjejnë një qeveri që i ka rritur pensionet më shumë se qeveria dhe mazhoranca jonë”, - tha Berisha. Sipas tij, do të shpjegohen reformat e ndërmarra në shëndetësi, në luftën kundër korrupsionit, trafikut dhe krimit të organizuar si dhe reformat e tjera jetike për vendin. Kryeministri u ndal edhe në situatën politike, e cila pas hyrjes së deputetëve të opozitës në Kuvend ka marrë një kthesë të kënaqshme dhe se negociatat kanë kaluar në Parlament. Ai tha se opozita ka parashtruar kërkesat e saj, ndërsa mazhoranca ka bërë ofertat për zgjidhje të këtij ngërçi politik. Por ai nënvizoi se gjithçka do të vijojë në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

Rajmonda Bulku dhe Sandra Bullock

Kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar ka uruar të gjitha deputetet për festën e 8 marsit. Ai tregoi se është një ndjekës i mirë i zhvillimeve të fundit kinematografike e në mënyrë të veçantë të ceremonisë së “Oskareve”, duke thënë se aktorja hollivudiane Sandra Bullock meritonte çmimin që mori. Shefi i ekzekutivit nuk ngurroi t’i drejtohej me një batutë deputetes Rajmonda Bulku, me profesion aktore. “Nga të gjitha ato çmime që u dhanë aty, më e merituara ishte Sandra Bullock. Rajmonda, gjëja më mahnitëse ishte se Sanda Bullock një ditë më parë mori çmimin si artistja më e keqe e vitit dhe një ditë më pas u nderua me çmimin “Oskar” si artistja më e mirë. Radhë ndodh që i njëjti person të pushtojë të gjithë spektrin siç ndodhi me këtë artiste të madhe, për të cilën më thonë se ka gjyshe me origjinë shqiptare”, - tha Berisha.

Infrastruktura rrugore

Vështirësi në projektin për Rrugën e Arbrit

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se ndërtimi i Rrugës së Arbrit është një ndër prioritetet e qeverisë, por gjatë projektimit janë evidentuar disa probleme. Projekti ka përfunduar, përveç tunelit, që paraqet vështirësi në projektim, pasi në kuotën 810 metra, ku ishte parashikuar ndërtimi i tij, struktura gjeologjike është e papërshtatshme. Kryeministri bëri me dije se i është kërkuar ministrit të Transporteve që gjatë këtyre ditëve të shqyrtojë mundësi të ndryshme. Berisha tha se në bazë të informacioneve që ka, mundësia për në kuotën 930 m është e garantuar, por rekomandoi që, po të jetë e mundur, të shihet projektimi në kuotën 700 m, 680 m, 650 m, që mund ta zgjasë tunelin, por ruan shpejtësitë. Kreu i qeverisë tha se ndërkohë është drejt përfundimit projekti i boshtit të Jugut. “Maxhoranca ka punuar me intensitet të madh dhe u qëndron plotësisht projekteve, ndonëse ka vendosur të zbatojë politikat rigoroze në shpenzimet publike, në mënyrë që të kryesojë përsëri në rritjen ekonomike dhe të mbetemi tërheqës për bizneset”, - tha ai. Qeveria ka përcaktuar si prioritet të investimeve të saj gjatë këtij viti ndërtimet dhe rindërtimet e akseve më kryesore në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›