E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holanda “humb” letërporosinë e Avdyl Loshajt

09/03/2010 Para pak ditësh u njoftua mbërritja, pas përkthimit rezultoi kërkesë për rinisje të dosjes

Ndodhet dëshmia në dosjen e të mbijetuarit nga keqtrajtimet e SHIK-ut, bashkë me Remzi Hoxhën

TIRANË- Një çudi e padëgjuar në historinë e marrëdhënieve të gjyqësorit shqiptar me atë të huaj, ka ndodhur pak ditë më parë, kur autoritetet holandeze njoftuan palën tonë se i ka humbur letërporosia për Avdyl Loshajn, i rrëmbyer nga SHIK-u, bashkë me Remzi Hoxhën. Procesi gjyqësor kundër të pandehurve që akuzohen për zhdukjen e mistershme të shqiptaro- maqedonasit Remzi Hoxha, po shkon drejt fundit, teksa pak ditë më parë u mësua se kishte mbërritur në dyert e Gjykatës së Krimeve të Rënda letërporosia nga shteti holandez, në të cilën ndodhet dëshmia e Avdyl Loshajt. Ky i fundit ka qenë një ndër personat që është rrëmbyer dhe dhunuar nga SHIK-u së bashku me Remzi Hoxhën. Ky fakt u bë me dije në sallën e gjyqit, ku u tha se nga ana e Ministrisë së Drejtësisë të Holandës është dërguar letërporosia, e cila duhet që të përkthehet në gjuhën shqipe. Por që në nisje të përkthimit ka rezultuar se përmbajtja e letrës së holandezëve ishte kërkesa për t’ ia nisur sërish dosjen, pasi ky material rezultonte i humbur në dosjet e këtij shteti. Avdyl Loshaj, i mbijetuari nga torturat e SHIK-ut në vitin 1995, është rrëmbyer bashkë me Remzi Hoxhën e Ziso Kristopulin. Dëshmia e tij konsiderohet nga gjykata si një ndër provat kyçe në ngarkim të katër ish- shikasve Arben Sefgjini, Budjon Meçe, Ilri Kumbaro dhe Avni Koldashi. Në dëshminë e tij ai tregon se në qendrën e SHIK-ut në Vajin të Lezhës ka dëgjuar britmat e të ndjerit Remzi Hoxha. “Në Shqipëri më kanë marrë me forcë, më kanë rrëmbyer dhe më pas më kanë dërguar në një kamp. Më kanë keqtrajtuar deri në gradën e fundit. Për arsyet e mësipërme nuk mund të vij në Shqipëri, pasi nuk më sigurohet jeta. Njerëz të SHIK-ut më kanë ndjekur për disa vjet”, shkruan Avdyl Loshaj. Ai ka pohuar paraprakisht se është arrestuar në muajin tetor 1995 në Qytetin Studenti, afër godinës 24. Ai ka thënë se kanë qenë tropojanë ata që kanë ushtruar tortura ndaj tij. “Ka qenë edhe një person grek. Çfarë ka bërë ai në trupin tim, vetëm kur të vijë dita ndonjëherë që të dal edhe unë para gjyqit mund ta faktoj…”, paralajmëron i mbijetuari i torturave të SHIK-ut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›