E Shtunë, 31 Tetor 2026

Republika e Atifetes

Atifete Jahjaga u zgjodh Presidente e Kosovës, si e para femër në krye të Shtetit. Ajo mori 80 vota në Parlament, më shumë se secili paraardhës i saj. Kundërshtime erdhën vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje. Në fjalën para deputetëve, Presidentja u tregua e vetëdijshme për rolin që e mori. Nga Express më 08 prill 2011 në ora 08:11

Atifete Jahjaga është betuar si Presidentja e katërt e Kosovës.

Të mërkurën asaj i ka shkuar për dore të marrë 80 vota të deputetëve, duke arritur që postin më të lartë shtetëror ta sigurojë në raundin e parë të votimit.

Jahjaga është femra e parë në krye të shtetit, derisa zgjedhja e saj në këtë post ka ardhur si rezultat i marrëveshjes mes Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit.
Gruaja që deri më tani ka shërbyer si oficere e lartë në Policinë e Kosovës, tash e tutje do të mbajë epitetin e Presidentit konsensual. Një rol substancial në përzgjedhjen e saj e ka Ambasada e SHBA’së në Prishtinë, e cila ndërmjetësoi takimet mes tre krerëve të partive politike.

Jahjaga vjen në zyrën më të lartë shtetërore disa ditë pasi prej aty ishte larguar Behgjet Pacolli, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli jokushtetuese zgjedhjen e tij.

Njëqind deputetët që kanë qëndruar në sallë, kanë siguruar kuorum të mjaftueshëm.
Jahjaga ka fituar 80 vota, 10 fletëvotime janë shpallur të pavlefshme, përderisa 10 vota kanë shkuar për kundërkandidaten formale të saj, Suzan Novobërdalia.

Në bazë të marrëveshjes së tri partive politike, Presidentja e re pritet të qëndrojë rreth një vit në krye të shtetit, vetëm pasi neni për zgjedhjen e Presidentit të ndryshojë në mënyrë që 6 muaj më pas qytetarët e vendit të zgjedhin drejtpërdrejt kreun e shtetit. Agjenda e saj pothuajse tashmë është e programuar në marrëveshjen politike. Këtë duket se e ka të qartë edhe Presidentja e re, në bazë të fjalimit që e ka lexuar pasi e ka bërë betimin.

“Zgjedhja ime Presidente e Republikës së Kosovës shpreh qëndrimin konsensual dhe marrëveshjen ndërmjet partive politike parlamentare për kapërcimin e krizës politike dhe për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për të ardhmen e vendit, duke bërë ndryshimet e nevojshme në Kushtetutën e Kosovës dhe në sistemin zgjedhor, si dhe duke caktuar një agjendë të qartë të veprimeve institucionale për tre vjetët e ardhshëm”, ka thënë Jahjaga.

Për dallim nga Behgjet Pacolli, zgjedhja e Jahjagës është përgatitur më mirë. Pasi ka marrë votat e mjaftueshme, për Presidenten e re është intonuar Himni i Kosovës dhe nuk janë kursyer as duartrokitjet. Edhe Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, është shfaqur më i butë, ndryshe nga rasti me Pacollin.

Krasniqi e ka përcjellë Jahjagën deri te Zyra e Presidentit, duke i dorëzuar edhe postin e Presidentit, të cilin Kryeparlamentari e ka mbajtur si ushtrues detyre ditëve të fundit.

Më pas në Zyrën e Presidentes kanë shkuar ambasadorët e akredituar në Prishtinë për urime.

Para deputetëve, Jahjaga e ka pranuar se kurrë nuk i ka shkuar mendja se një ditë mund të bëhet Presidente.

“Deri dje nuk kam menduar kurrë për të marrë një pozitë të lartë udhëheqëse politike. Por, ashtu si shumë nga ju, bashkëqytetarët e mi, isha e gatshme të shërbej kur dhe ku të më ftojë vendi. I kam përkushtuar jetën time qytetarëve të këtij vendi në ndërtimin e njërit prej institucioneve më të rëndësishme demokratike. Gjatë 11 vjetëve të kaluara i kam shërbyer vendit tim në Policinë e Kosovës, ku kam hyrë si fillestare dhe e lë sot si zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme”, ka thënë ajo.

E më pas ka premtuar se do të respektojë Kushtetutën e vendit.

“Në punën dhe detyrën time do të udhëhiqem nga Kushtetuta dhe nga ligjet e Republikës së Kosovës. Do të jem transparente dhe bashkëpunuese në të gjitha çështjet. Do të jem faktor dhe simbol i unitetit. Do të përfaqësoj dinjitetshëm e me përgjegjësi Republikën e Kosovës, interesat e të gjithë qytetarëve”, ka thënë Presidentja e re.

Jahjaga ka folur edhe në serbisht dhe në anglisht gjatë fjalimit në Kuvend dhe ka rikujtuar të kaluarën e vendit.

“Në rrugën tonë jemi krenarë në lavdinë, jemi krenarë në shëmbëlltyrën e Skënderbeut, në personalitetin e Nënës Terezë, në aktin sublim të Adem Jasharit dhe në veprimtarinë e Ibrahim Rugovës. Të gjitha këto personalitete, si edhe shumë e shumë të tjerë, gjatë shekujve dhe në ditët tona interesin e vendit dhe të popullit e vunë përpara vetes dhe me dritën e veprës së tyre shndritën deri në ditët tona, e do të shndrisin edhe në të ardhmen, duke na e përcaktuar qartë rrugën tonë, përkushtimin dhe idealin për të qenë të ndershëm, për të qenë të dinjitetshëm, të lirë dhe të barabartë”, ka thënë ajo.

Pavarësisht marrëveshjes që i siguroi asaj shumicën e votave në Kuvend, kandidatura e saj është përqeshur nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka cilësuar atë si një person që nuk e njeh askush dhe që punon me urdhra.

Këto komente janë bërë nga Shefi i Grupit Parlamentar, Visar Ymeri, para se deputetët e Vetëvendosjes ta lëshojnë sallën.

“Sa i përket kandidates së propozuar për President, për konceptet e saj politike nuk mund të flasim aq shumë, sepse askush nuk e di se çfarë vizioni ka ajo për shtetin e Kosovës, për interesat tona shtetërore dhe kombëtare, ekonomike e shoqërore. Atë nuk e njohin shumica e qytetarëve të vendit. Si mund t’i përfaqësojë ajo ata? Si mund të të përfaqësojë dikush që t’i nuk e njeh fare dhe të cilit nuk ia ke dëgjuar as edhe një intervistë a qëndrim publik për Planin e Ahtiasaarit, negociatat me Serbinë dhe privatizimin e PTK’së”, ka thënë Ymeri.

“Megjithatë, vetë fakti që ajo punon me urdhra dhe ka pranuar të jetë rezultat i një marrëveshjeje partiake arbitrare dhe antikushtetuese, është i mjaftueshëm për të kuptuar se ajo do të jetë në shërbim të Qeverisë Thaçi, e jo në funksion të qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar Ymeri.

Deputetët e AAK’së nuk ka thënë as edhe një fjalë në Parlamentin e Kosovës rreth kandidaturës së Jahjagës. Deputeti Ardian Gjini ka thënë se AAK do të qëndrojë në sallë kur të votohet për Jahjagën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›