E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezikohen paratë tona?

KRIZA FINANCIARE

Shumë vetë pyesin sot nëse, vendi ynë, Shqipëria, do të përfshihet në krizën botërore financiare. Ngaqë, natyrshëm, nuk dinë shumë për mënyrën sesi funksionon sistemi bankar, ndjekin me shqetësim të shtuar përshkallëzimin e krizës në SHBA dhe Evropën Perëndimore. Realisht kemi pak gjasa, megjithatë, janë tre “përbindëshat” financiarë që mund të na i ndërlikojnë punët.

Së pari, sistemi i kreditit. Bankat shqiptare dhe ato të huaja në Shqipëri kanë dhënë mbi 260 milionë kredi këto tre vitet e fundit. Vendi përjetoi një “Eldorado” të kredive. Një garë e ethshme në një Shqipëri që nuk njihte më parë jetesën e bazuar në borxhet tek bankat. Përfitues të kredive janë bizneset, por edhe qytetarët me të ardhura mesatare që duan të blejnë shtëpi, makinë, të përballojnë studimet jashtë shtetit të fëmijëve, etj. Numri i tyre arrin në dhjetëra mijëra vetë. Ndër këta, ka që po përjetojnë probleme të mëdha me kthimin e borxhit. Gjithsesi, në tërësi, totali i kredive të këqija (kështu quhen ato kredi që nuk u kthehen bankave nga kreditorët), edhe pse me rritje (4.3 përqind), është i pranueshëm, po ta shohësh në krahasim me nivelin më të rritur që këto kredi të këqija kanë në vende të ngjashme me ne, si Maqedonia, Mali i Zi, etj. Megjithatë, kreditë e këqija përbëjnë një përbindësh të vogël që duhet të vrojtohet fort dhe rregullisht. Vetëm regjistri i kredive dhe kreditorëve nuk mjafton; nevojitet një rol më “agresiv” i Bankës së Shqipërisë. Duhet mbikëqyrje nga ekspertët e BSH-së ndaj mekanizmit të dhënies së kredisë në vend.

Përbindëshi i dytë, që vë në vështirësi bankat për të arkëtuar kredinë, është se, shpeshherë (madje në shumicën e rasteve), ato përdorin si kolateral (garanci për kredinë) pronën e përfituesit të shumës. Në rastin kur kompania apo individi nuk shlyen detyrimet financiare, atëherë i sekuestrohet prona. Por kjo metodë mund të sjellë zhbalancim në tregun bankar. Prona që sekuestrohet është pasuri e paluajtshme, ndërsa banka ka nevojë për para të thata si kthim kredie. Në fund të fundit, Banka shet para. Mund të ndodhë që bankat të akumulojnë shumë pasuri të paluajtshme por është tregu që vendos për shitjen ose jo të tyre. Ndërlikime të tilla ende nuk janë shtuar sa të bëhen dukuri masive, por mund të ndodhin në të ardhmen.

“Përbindëshi” i tretë dhe, më kërcënuesi sot, ka të bëjë me faktin se, shumica e bankave tregtare në Shqipëri, kanë aksionerë të huaj dhe varen nga bankat mëmë në Austri, Greqi dhe Itali. Këto banka mëmë mund të vihen në vështirësi për të patur para të thata (likuiditete) dhe mund të shterrojnë aftësinë paguese të filialeve të tyre në vendet e Evropës Jug-Perëndimore (pra dhe në Shqipëri). Banka jonë qëndrore, me zgjuarsi nxori një vendim këto ditë të fundit që i ndalon filialet e bankave të huaja, për një periudhë të pacaktuar, që të largojnë paratë e thata nga Shqipëria. Të shpresojmë që të mos mbetet në letër dhe BSH-ja të mund të kontrollojë realisht bankat e huaja këtu tek ne, që të mos importojnë krizë nga vendet e origjinës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›