E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB-Kongos: Ndaloni menjëherë luftimet

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka dënuar luftimet në Republikën Demokratike të Kongos dhe shprehu shqetësim të madh lidhur me pasojat humanitare.

KS i bëri thirrje komandantit rebel Laurent Nkunda të siguronte se armëpushimi i shpalluar prej tij do të zbatohej menjëherë.

Këshilli i Sigurimit u shpreh i alarmuar lidhur me shkëmbimin e zjarrit mes Kongos dhe Ruandës pranë kufirit mes tyre.

Pasi pa që forca më e madhe paqeruajtëse e OKB-së në botë, nuk mund t'i kontrollonte rebelët tutsi, Këshilli i Sigurimit u kundërpërgjigj.

Qeverive në Kongo dhe Ruandë iu kërkua që të merrnin hapa konkretë për të shpërndarë tensionet.

Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën se po mbështesin rebelë të ndryshëm, nga fise tutsi apo hutu.

Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kongos që të sigurojë se nuk ka bashkëpunim mes forcave të saj dhe rebelëve hutu në Kongon Lindore.

Përsa i takon kërkesës së OKB-së për përforcime me paqeruajtës, diplomatët thonë se ata do ta shqyrtojnë këtë me urgjencë.

Për momentin OKB-ja ka 800 paqeruajtës në Goma, kryeqendra e provincës që është marrë nga rebelët.

OKB-ja ka 17 mijë paqeruajtës në Kongo dhe ka thënë se do t'i dislokojë një pjesë të tyre në Goma. (BBC)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›