E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrezikohet autenticiteti i Gjirokastrës, ndërtimet ilegale bum në qytetin muze

gjirokastera-imeeeeeGjirokastër- “Restaurimet jo profesionale dhe ndërimet pa leje po rrezikojnë seriozisht autenticitetin e qytetit muze të Gjirokastrës. Monumentet e qytetit të Gjirokastrës kanë nevojë urgjente për ndërhyrje”.

Ka qenë ky apeli i bërë nga forumi për mbrojtjen e qytetit të gurtë për marrjen e masave për të ruajtur trashigiminë botërore të mbrojtur edhe nga UNESKO.

Personalitete të fushës së trashëgimisë, arkitekturës, artit, letrave e historisë u mblodhën në Universitetin e Gjirokastrës për të zgjeruar forumin për mbrojtjen e vlerave kulturore të qytetit.

Pas prezantimit të raportit mbi monitorimin e kryer në terren nga specialistët e UNESKO-s, u shpreh shqetësimi për domosdoshmërinë e marrjes së masave urgjente.

Ata thanë se kërcënime të vazhdueshme po i qasen situatës së mbrojtjes dhe konservimit të kësaj trashëgimie me vlera të çmuara kulturore e historike.

Gjatë fjalës së tij Prof. Emin Riza theksoi zhbërjen e autenticitetit të këtyre vlerave. Degradim prej dorës së njeriut…mjaft më të rrezikshëm se degradimi natyral i monumnteve, njëherazi për sfidën e vazhdueshme të rijetëzimit të monumenteve të restauruara,-tha ai.

Ndërkohë Forumi  ka bërë thirrje për rëndësinë e komunikimit mes pushtetit lokal dhe qëndror përfshirjen e institucioneve dhe qytetarëve për hartimin e Planit të menaxhimit të qytetit Muze.

Numri i ndërtimeve të paligjshme në zonën muzeale është rreth 300, kurse 200 ndërtime janë në rreizk shembje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›