Rrezikohet dëmtimi i fondit të librave në bibliotekën e Durrësit

Mbi 230 mijë libra dhe periodikë të fondit të bibliotekës publike në Durrës rrezikojnë të dëmtohen përfundimisht për shkak të amortizimit të godinës 80 vjeçare të këtij institucioni. Flora Dervishi, drejtore e bibliotekës së Durrësit, tha se "reshjet e shiut të javëve të fundit kanë dëmtuar ndjeshëm tarracën e godinës së ndërtuar në fund të viteve 1920 dhe në mjediset e katit të dytë, lagështira ka shkaktuar dhe rënien e suvasë së tavaneve". Sipas znj. Dervishi, restaurimet e pjesëshme të godinës janë realizuar shumë kohë më parë dhe amortizimi i saj tashmë është i dukshëm. Biblioteka e Durrësit funksionon në këtë godinë nga shtatori i vitit 1945, kur qyteti kishte vetëm 8500 banorë. Aktualisht biblioteka ka mbi 7 mijë lexues të rregullt, ndërkohë popullsia e qyteti bregdetar i ka kaluar 200 mijë banorët. Fondet e librave, një pjesë e të cilave antikuare albanalogjike të shekujve të kaluar janë vendosur në një sipërfaqe të përgjithshme prej 375 m2. Godina formalisht i është rikthyer ish-pronarit, në vitin 1995, por qyteti vazhdon të mbetet në pritje të ndërtimit të një godine të re për “institucionin e dijes”.
...