Seri aktivitetesh në Tiranë me rastin e 18 vjetorit të rënies së komunizmit

Rënia e simboleve të komunizimit në Shqipëri, në 20 shkurt të vitit 1991, do të përkujtohet në Tiranë me një sërë aktivitetesh, mes të cilave edhe një ekspozitë që rikthen në vëmendjen e vizitorëve një pjesë të vogël të krimeve të regjimit komunist. “Ekspozita do të hapet mesditën e së premtes në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha. Ajo do të përmbajë materiale që do të ekspozohen për here të parë”, tha zv/ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ekrem Spahiu, duke shtuar se kjo ekspozitë çelet në nderim të viktimave të sistemit diktatorial. Sipas tij, ka më shumë se një muaj që në MTKRS janë ngritur grupe pune, ku marrin pjesë drejtues të ministrisë dhe të institucioneve vartëse, si Muzeut Historik Kombëtar, Galerisë Kombëtare të Arteve, Arkivit Qendror të Filmit, Komitetit të Kulteve, etj. Këto grupe kanë realizuar një bashkëpunim të frytshëm me Institutin e Historisë, Institutin e ish-të Përndjekurve Politikë, Arkivin e Shtetit, Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Arkivin e Ministrisë së Brendshme, Arkivin e RTSH dhe tashmë gjithçka është gati.
Përzgjedhja e datës 20 shkurt për çeljen e kësaj ekspozite nuk është bërë në mënyrë të rastësishme, sepse pikërisht në këtë datë, 18 vjet më parë, qytetarët e Tiranës rrëzuan monumentin e diktatorit Enver Hoxha dhe shënuan një pikë kthese në zhvillimin e proceseve demokratike. Platforma e hollit të ekspozitës do të jetë në ngjyrën e zezë, që simbolizon diktaturën komuniste dhe ndriçohet prej dritës së stendave ku janë vendosur foto dhe dokumente që dëshmojnë për përndjekjet e shumta, gjyqet e manipuluara, ekzekutimet barbare dhe vuajtjet e pafundme të ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë. Shumica e materialeve ekspozohen për herë të parë. Gjithashtu, për herë të parë afishohen foto të vrasjeve që organet e diktaturës kryen ndaj shtetasve shqiptarë në kufirin e Shqipërisë gjatë viteve 1988-1990, kur edhe kishte ndryshuar kodi penal për kalimin e kufirit. Në monitorët e vendosur do të shfaqen në mënyrë të vazhdueshme materiale filmike, fotografike, vendime dhe dokumente të ndryshme që dëshmojnë krimet e regjimit komunist në Shqipëri. “Ndonëse kjo ekspozitë rikthen në vëmendjen e vizitorëve një pjesë fare të vogël të krimeve që regjimi komunist kreu në Shqipëri, ajo do të sjellë një kontribut të rëndësishëm për rehabilitimin dhe integrimin real të ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë si një nga prioritetet e kësaj maxhorance qeverisëse”, vlerëson zv/ministri Spahiu.
Në kujtim të ditës së rënies së miteve të komunizimit në Tiranë do të organizohen dhe një sërë aktivitetesh të tjera. Veçohet dekorimi nga Presidenti i Republikës i 14 protagonistëve të rrëzimit të simboleve komuniste në 20 shkurt ’91 dhe një aktivitet në kuadër të 18 vjetorit të grevës së urisë të mbi 700 studentëve e pedagogëve të universiteve të vendit, një ditë që cilësohet si triumfi i lirisë.
...