"O njeri...", një libër për të kujtuar
Shumë vuajtje, kujtime e ngjarje me të burgosur politikë vijnë të analizuara në librin me tregime "O Njeri…!" të autorit Gëzim Peshkëpia. Nëpërmjet 35 tregimeve e përshkrimeve, autori si protagonist i një jete të vështirë, të kaluar në një nga burgjet e periudhës së komunizmit në Shqipëri, tregon për vuajtjet dhe kohën e vështirë gjatë 8 viteve të dënimit. Ai është munduar të sjellë në vëmendje tragjedinë, personale, por edhe atë të një populli, pa ndonjë mllef, kërkon vetëm të ngacmojë kujtesën e njerëzve për të mos harruar. Ai e ka të vështirë të përshkruajë gjithë sa ka kaluar, por e ndjen për detyrë të rrëfejë gjithë sa ka parë. Edhe titulli e ka një histori të vetën. Kur autori mbërriti në kampin e Ballshit, të burgosurit vinin vërdallë dhe ngjanin si në një çmendinë. Aty njohu një njeri, i cili ishte i verbër dhe sapo ndjente afrimin e dikujt thërriste: "o njeri...". Atij i kushtohet titulli. Ky vëllim do të ndiqet nga një tjetër për të plotësuar kujtimet e autorit. Vepra vjen si një rezistencë ndaj së keqes që ish të dënuarit kanë vuajtur dhe përjetuar më parë.