E Martë, 3 Nëntor 2026

Rrezikojnë jetën e pushuesve/ Balla: Drejtuesit e mjeteve lundruese do përballen me ashpërsinë e ligjit

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, paralajmëroi të mërkurën të gjithë drejtuesit e mjeteve lundruese se në rast të mosrespektimit nga ana e tyre e perimetrave të sigurisë, do të përballen me ashpërsinë e ligjit. 

Sipas tij, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare janë në krye të detyrës për të monitoruar plazhet ku po pushojnë qytetarë të shumtë vendas dhe të huaj.

“Dua t’i kujtoj përdoruesve të mjeteve lundruese, që të respektojnë me rigorozitet perimetrat e sigurisë ujore për plazhistët, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete.

Nuk do të ketë asnjë tolerim në asnjë rrethanë dhe për askënd”, deklaroi Balla, nëpërmjet një postimi në faqen e Policisë së Shtetit në Facebook.

Për këtë arsye, Balla ka ftuar qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112.

Ndërkohë sot shënohet një vit nga ngjarja tragjike kur humbi jetën tragjikisht  7-vjeçarja Jonada Avdia pasi u godit nga një mjet lundrues  që kishte hyrë brenda kordonit të sigurisë në kundërshtim me rregullat, në plazhin e Potamit të Himarës

Tragjedia u shkaktua nga polici Arjan Tase, i cili po lundronte në mes të pushueseve të cilët po laheshin dhe për shkak të një manovre të gabuar i mori jetën të miturës.

 Në atë kohë Tase mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan ndërsa kishte qenë më parë ish-shef i Policisë në Himarë, ku edhe ndodhi tragjedia.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›