E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrezikojnë përmbytjen tri fshatra, evakuohen 580 banorë

SHIRAT/ Reshjet e ditëve të fundit dhe bllokimet në grykën derdhëse të rezervuarit kanë mbimbushuar rezervuarin

KAVAJË - Tri fshatra rrezikojnë përmbytjen në komunën Kryevidh të Kavajës. Janë rreth 580 banorë të fshatit Spille që janë evakuar nga shtëpitë që nga ora 09:00 e mëngjesit të djeshëm për shkak të rrezikut që paraqet shpërthimi i digës së rezervuarit të Sharrdushkut.

Gjendja alarmante ka bërë që njerëzit të lënë gjithçka pa e kthyer kokën pas, por vetëm të shpëtojnë nga ndonjë katastrofë ujore që mund t'i godiste.

Duke pasur parasysh edhe lartësinë mbi nivelin e detit ku ndodhet rezervuari, shpërthimi i 1,2 milionë m3 uji që ai përmbante në momentin e bllokimit, do të rrëmbente me vete jo vetëm shtëpitë e banimit, por gjithçka që do të gjente përpara. Rrëshqitja e dherave ka bllokuar grykën derdhëse të rezervuarit duke krijuar kështu izolimin e ujit.

Mirëpo kapaciteti i ujëmbledhësit ka arritur kulmin dhe uji ka filluar të krijojë rrjedhje të reja. Presioni i ujit ka shkaktuar çarjen horizontale të bankinës mbrojtëse të rezervuarit rreth 50 metër, duke rritur rrezikun për shpërthimin e digës. Situata e krijuar u nxit edhe nga shirat e rrëmbyeshëm të ditëve të fundit, por më alarmante është bërë mëngjesin e së martës kur u vërejt plasaritja e digës.

Menjëherë pas evidentimit të asaj çfarë i kanosej fshatrave që gjenden nën nivelin e rezervuarit, u bë njoftimi i të gjithë organeve kompetente vendore, të cilat lëshuan urdhrin për evakuimin e zonës.

Gjendja kritike ishte evidentuar dy ditë më parë nga kryeplaku i fshatit Sharrdushk, Hekuran Dushku, i cili kishte njoftuar kryetarin e komunës Kryevidh, Arben Ajdinin, për çarjen që kishte pësuar bankina mbrojtëse e rezervuarit.

Kryeplaku Dushku thotë: "E kisha njoftuar që më parë kryetarin, por nuk e mori shumë seriozisht më duket kërkesën time për ndërhyrje. Tani që çarja e digës është bërë e paevitueshme, vijnë të gjithë, por këtu veprimet duhej të ishin bërë me kohë.

Madje nuk duhej të ishte lejuar as përdorimi i rezervuarit për të kultivuar dhe rritur peshk. Pasi edhe kjo mund të jetë një shkas për gjendjen aktuale".

Ndërsa Ajdini e justifikon të gjithë këtë situatë me reshjet e dendura që pushtuan vendin javën e kaluar. "Mendoj se niveli i ujit të rezervuarit është rritur ndjeshëm gjatë këtyre ditëve.

Ne nuk kishim ndonjë informacion që ky ujëmbajtës paraqiste ndonjë problem me kullimin apo nivelin mbi kapacitet. Por sapo u njoftuam, morëm masat për pezullimin e mësimit në Spille dhe evakuimin e zonës nga banorët".

Terreni i lagësht ka bërë që dherat e kodrës të rrëshqasin duke zvogëluar sipërfaqen e ujëmbledhësit dhe ngritur nivelin e ujit, gjë e cila ka ushtruar presion mbi digën dhe ka krijuar plasaritjen e betonit.

Përfaqësuesit e pushtetit lokalë nuk janë lejuar të kryejnë asnjë ndërhyrje pa ardhur në vendngjarje specialistët e Ministrisë së Bujqësisë. Zv.ministri i Bujqësisë, Ndue Preka, e ka cilësuar gjendjen tepër kritike, por kjo ka ardhur si rrjedhojë e rrjetit të amortizuar të kanalizimeve dhe rezervuareve.

Përfaqësuesit e ministrisë arritën pas 3 orë e gjysmë në Shardushk, pasi inspektuan zonën dhe rrezikun që kanosej, vendosën të ndërhynin me prishjen e digës emergjente. Ky veprim ka sjellë përmirësimin e situatës, megjithatë deri në orët e vona të mbrëmjes nuk është lejuar kthimi nëpër shtëpi i banorëve të Spillesë.

Diga emergjente do të lihet e hapur deri kur niveli i ujit të rezervuarit të shkojë në normat e lejuara që është lartësia 1,8 metër.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›