E Diel, 1 Nëntor 2026

"Dosjet", Topi: Zgjodha heshtjen, për shkak të antikushtetutshmërisë

Presidenti i Republikës, tha dje në një intervistë, se korrupsioni ka hyrë në institucionet publike të drejtësisë, por është zgjeruar edhe në sektorin privat


TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, flet për herë të parë mbi arsyet se pse ai heshti, kur në zyrën e tij mbërriti ligji i shumëpërfolur i lustracionit.

Duke qartësuar edhe njëherë pozicionin e tij, se njerëzit që duan të bëjnë karrierë politike, duhet të jenë të pastër, Topi theksoi se mbi ligjin e lustracionit ka pasur shumë çështje mbi kushtetutshmërinë.

"Për shkak të këtyre qëndrimeve kundërshtuese, vendosa heshtjen",- tha Topi në një intervistë dhënë për median kroate, "Jutarnji List". Presidenti i Republikës ka folur edhe për zgjedhjet, korrupsionin, centralin bërthamor, si dhe marrëdhëniet mes Kroacisë dhe Shqipërisë.


Shqipëria dhe Kroacia, muajin e ardhshëm do të hyjnë në NATO. Sa është e rëndësishme kjo ngjarje për Ballkanin?


Hyrja e Shqipërisë së bashku me Kroacinë në NATO, ka rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tim. Ky është një sendërtim i dëshirës së popullit shqiptar për integrim në familjen Euroatlantike. Shqipëria nuk është më e izoluar.

Me hyrjen në NATO, ne bëhemi vend i sigurt dhe pjesë e një rajoni të sigurt, në të cilin bëjmë pjesë. Kjo siguri do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, sigurinë shoqërore dhe stabilitetin e institucioneve.
Ishit 28 vjeç kur vdiq Enver Hoxha.

A besonit asokohe se, gjatë jetës suaj, Shqipëria do të bëhej anëtare e NATO-s dhe se do të jetonit në kapitalizëm?

Gjithçka që ngjiste gjatë kohës kur ishte gjallë Enver Hoxha, është ngulitur thellë në kujtesën time. Shqiptarët ishin të dënuar me vuajtje kolektive.

Disa u ballafaquan në mënyrë direkte me këto vuajtje, të tjerë i përjetuan indirekt. Jetonim në një shoqëri plotësisht të kontrolluar, në të cilën nuk kishte liri të shprehjes, liri të lëvizjes, si dhe asnjë lloj lirie ekonomike. Kjo kohë e Hoxhës shkaktoi shumë varfëri.

Sot, popullsia e Shqipërisë, relativisht e re, jeton e punon në kapitalizëm. Ajo pjesë e njerëzve që ende janë nostalgjikë për kohën e Enver Hoxhës, nuk ka më asnjë ndikim.


Kur do ta paraqesë Shqipëria kërkesën për kandidaturë në BE?


Mendoj se kërkesa jonë për anëtarësim të plotë, do të bëhet në një të ardhme të afërt.
Në Shqipëri, në fund të muajit qershor, do të mbahen zgjedhjet parlamentare.

A do të jenë të ndershme, duke marrë parasysh vërejtjet, se zgjedhjet e mëparshme nuk kanë qenë krejtësisht të ndershme?


Nëse zgjedhjet e qershorit do të jenë të lira, korrekte dhe të ndershme, ato do të jenë vendimtare për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Zgjedhjet e mëparshme në Shqipëri nuk mund të përshkruhen si të ndershme. Kësaj here, Parlamenti Shqiptar ka miratuar në kohën e duhur një ligj zgjedhor, gjë e cila do të thotë se ekziston konsensus që zgjedhjet do të jenë korrekte.


Ju nuk keni firmosur ligjin kontravers mbi lustracionin, por edhe nuk e keni kundërshtuar...

Ligji është shkruar që para dhjetë vitesh. Edhe atëbotë, isha i përfshirë në politikë dhe një nga mbështetësit më të zjarrtë të hapjes së dosjeve. Mendoja, edhe asokohe edhe tani po kështu mendoj, se njerëzit që duan të bëjnë karrierë politike, duhet të jenë të pastër.

Lustracioni ka qenë temë e një diskutimi të gjerë në shoqërinë shqiptare. Më në fund, ligji u votua në Parlament nga shumica në qeveri. Mund të firmosja, ta kundërshtoja ose të heshtja.

Kjo e fundit nënkupton se ligji hyn në fuqi me automatizëm. Përherë kam qenë mbështetës i hapjes së dosjeve. Por, ka patur shumë çështje mbi kushtetutshmërinë e këtij ligji.

Për shkak të këtyre qëndrimeve kundërshtuese, vendosa heshtjen. Partitë e opozitës dhe disa organizata kanë kërkuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese, e kjo e fundit i është drejtuar Komisionit të Venecias (Komisioni Europian për demokraci nëpërmjet së drejtës) për këshillim.

Në fund, Gjykata kushtetuese mori vendimin për ngrirjen e zbatimit të këtij ligji, derisa të arrijë sugjerimi nga Venecia.


Sipas organizatave që matin korrupsionin, Shqipëria qëndron ende lart. A mendoni se do ta fitoni luftën kundër korrupsionit?

Është bërë një përparim i madh në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Por, ky përbindësh ende ekziston.

Njerëzit që ndeshen me korrupsionin, më shkruajnë letra, por informacionet mbi të i marr edhe nëpërmjet kanaleve zyrtare. Korrupsioni është si puna e virusit, që mbërthen tërë organizmin.

Ka hyrë në institucionet publike dhe ato të drejtësisë. Korrupsioni është zgjeruar edhe në sektorin privat. Në luftën kundër korrupsionit na duhet të gjejmë metoda institucionale, por edhe të fitojmë mbështetjen e gjerë publike.


Kroacia, këtë vit, do të heqë vizat për qytetarët e Shqipërisë. A do të ketë pastaj marrëdhënie më të mira ekonomike mes dy vendeve?


Jam takuar me Presidentin Mesiç, me Kryeministrin Sanader dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit tuaj. Marrëdhëniet politike mes nesh janë më të mirat në histori, gjë e cila do të thotë se duhet të fillojnë të zhvillohen edhe ato ekonomike. Kemi projekte të përbashkëta dhe të tilla do të ketë akoma më shumë, kur të bëhemi anëtarë të së njëjtës familje, NATO-s dhe Bashkimit Europian.


Në takimin e fundit të kryeministrave, Sanader e Berisha, në Zagreb, u fol për mundësinë që Shqipëria dhe Kroacia të ndërtojnë bashkërisht një central bërthamor...
Çështja e energjisë është një temë shumë e nxehtë.

Me rastin e vizitës së fundit të Presidentit francez, Sarkozi në Itali, është biseduar për ndërtimin e centraleve bërthamore. Sot ende nuk jam në gjendje të them se nëse Shqipëria do të ndërtojë ndonjë central bërthamor me këtë apo me atë shtet, por këtë do ta bisedojmë në mënyrë që të rritim me kujdes burimet tona energjetike.

Tani për tani, Shqipëria, më së shumti varet nga hidropotencialet, por po këmbëngulim të rritim edhe burimet nga termocentralet.

Po, në të ardhmen, planifikojmë të ndërtojmë central bërthamor, por për këtë akoma nuk kemi vendime konkrete.
Marrë me shkurtime, nga gazeta kroate "Jutarnji List".


Për centralin bërthamor

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›