Rritja e çmimit, importuesit fajësojnë akcizën
Sipas Shoqatës së Importuesve, fiksimi i akcizës në 37 lekë për çdo litër, rrit me 12 lekë litrin e naftës
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, reagoi dje mbi rritjen e çmimit të naftës me 10 lekë për litër, duke argumentuar se rritja ishte imponuar nga konjuktura e çmimeve në tregun ndërkombëtar dhe rritja e akcizës.
Zyra e shtypit të kësaj shoqate, nëpërmjet një njoftimi, bëri me dije se, deri në mesin e muajit shkurt 2009, në bursë, një ton naftë e përpunuar është ofruar me çmimin 370-400 USD, një fuçi naftë, për të njëjtën periudhë të raportuar, është luhatur mes 35-37 dollarëve për fuçi, ndërsa benzina është kuotuar në nivelin e rreth 380 dollarëve për ton.
Ndërsa, nga kjo periudhë e në vazhdim, një fuçi naftë është kuotuar në vlerat 43-44 USD/fuçi, produkti i përpunuar është ofruar më çmimin 480-490 USD/ton, ndërsa benzina me çmimin 500 USD/ton.
"Kjo rritje e çmimit të hidrokarbureve në tregun ndërkombëtar, nuk është pasqyruar në mënyrë të menjëhershme në tregun e brendshëm të shumicës, pasi kjo rritje çmimesh është amortizuar nga rezervat e detyrueshme të kompanive kryesore importuese",- thuhet në njoftimin zyrtar.
Faktori i dytë që ka ndikuar në rritjen e çmimit të naftës, sipas importuesve, ishte fiksimi i akcizës në 37 lekë për litër.
"Kjo taksë vepron menjëherë në tregun e karburanteve, pavarësisht gjendjes së rezervave në depozita. Kompanitë importuese dhe prodhuese janë të detyruara, sipas ligjit, të aplikojnë akcizën e re mbi të gjithë sasinë e mallit në magazinat doganore dhe në import, duke i shtuar kësaj takse edhe tatimin mbi vlerën e shtuar.
Kjo do të thotë që tregu do të reflektojë një çmim prej 12 lekë për litër karburant, më tepër se sa para aplikimit të akcizës së re, pra, akciza=10 lekë/litër +20% TVSH=12 lekë/litër"-, citohet në deklaratë.