Rrezikon Dinamo-Gramozi, 99 për qind nuk luhet
Terrenet e rënduara në stadiumet e ndryshme në vend, mund të vazhdojnë të jenë një faktor me peshë në Kategorinë Superiore. Pas problemeve në fushat e Korçës dhe Ersekës, të cilat shtynë me një javë startin e fazës së tretë të kampionatit, tashmë problemi përbëhet nga impianti më i madh në vend. Fusha e stadiumit kombëtar, “Qemal Stafa” është në gjendje katastrofike. Kjo u pa qartë në miqësoren e 3 marsit që përfaqësuesja shqiptare fitoi 1-0 me Irlandën e Veriut. Pas testimit të parë të kuqezinjve për vitin 2010, terreni është rënduar edhe më shumë, duke e bërë të pamundur zhvillimin e një ndeshjeje normale futbolli. Për këtë arsye, ndeshja e javës së 23-të, ndërmjet kryesuesve të Dinamos dhe Gramozit, që mbyll klasifikimin në Superiore rrezikon seriozisht të mos zhvillohet. Gjatë ditës së djeshme, drejtuesit e bluve janë takuar me drejtorin e stadiumit, Gazmend Sallaku. Klubi kryeqytetas ka kërkuar me ngulm zhvillimin e ndeshjes, pavarësisht fushës jo të mirë, por ata kanë hasur në rezistencën e drejtuesit të impiantit. Kjo edhe për faktin se Dinamo duhet të luajë aty përsëri në mesjavë, kundër Shkumbinit, ndeshja e kthimit në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë.
Me gjithë bisedat për gjetjen e një zgjidhjeje, me 99 për qind Dinamo-Gramozi do të shtyhet, ndërsa vendimin përfundimtar pritet ta japë Federata Shqiptare e Futbollit. Fillimisht institucioni që drejton sportin më popullor në vend tentoi të distancohej, edhe sepse dinamovitët kanë kontratë me “Qemal Stafën” për ndeshjet e kampionatit dhe të Kupës. Por, sot pritet të merret një vendim përfundimtar, ku ndoshta mund të përcaktohet edhe një tjetër datë për këtë sfidë, në pritje të rregullimit të kushteve në stadium. Drejtuesit blu nuk duan në asnjë mënyrë që të shqyrtojnë si opsion që të luajnë në “Selman Stërmasi”. Pavarësisht pretendimeve të tyre, zhvillimi i ndeshjes në stadiumin e dytë të kryeqytetit gjatë kësaj fundjave është i pamundur: sot aty do të luajë Tirana përballë Kastriotit, ndërsa të hënën luhet takimi i Kategorisë së Parë ndërmjet Partizanit dhe Luftëtarit.
Bardheblutë e drejtuar nga Devi Muka, do të kërkojnë të hakmerren ndaj Besës për eliminimin nga Kupa, duke synuar t’u marrin kavajasve vendin e dytë në kampionatin elitar. Diferenca prej pesë pikësh që kanë dy skuadrat, bën që në 11 javët e fundit të Superiores, gjithçka të jetë e hapur. Sot zhvillohet edhe ndeshja Shkumbini-Vllaznia. Objektivi i peqinasve është që t’i largohen luftës për mbijetesë, ndërsa në krahun tjetër, rezultati pozitiv duket i detyrueshëm për shkodranët: në të kundërt, Vllaznia do t’u jepte mundësi rivaleve në fund të tabelës që të afroheshin.