E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stabilizohet Trepça

Ish-gjiganti metalurgjik, industrial dhe minerar i Kosovës, Trepça ka përmirësuar afarizmin që nga pranvera e këtij viti, kur janë stabilizuar çmimet e mineraleve dhe produkteve të tyre në tregun ndërkombëtar, pas krizës financiare globale.

Menaxhmenti i ri në Trepçë posedon një plan për rimëkëmbjen e këtij ish-gjiganti, por Qeveria, respektivisht Agjencia Kosovare e Privatizimit, që e menaxhon këtë kompani, në një periudhë afatshkurtër nuk planifikon privatizimin e saj.

Bislim Muqa, zëdhënës në kompaninë Trepça, tha për KosovaLive se kriza globale financiare që ka goditur rëndë tregun botëror të metaleve, ka goditur natyrisht edhe ndërmarrjen Trepça që merret me këtë veprimtari. Por, për fat të mirë nga pranvera e këtij viti ka filluar stabilizimi i tregjeve dhe në vazhdimësi ka një rritje të çmimeve të metaleve, të cilat ndikojnë shumë pozitivisht në afarizmin e ndërmarrjes.

Sa i përket iniciativave për privatizimin e Trepçës, Muqa tha se kjo kompani është në administrim të AKP-s. Por, fati i mëtejmë i ndërmarrjes do të përcaktohet edhe në varësi të ligjeve që do të miratojë Kuvendi i Kosovës dhe vendimeve që do të marrin institucionet e larta shtetërore të vendit. Mendoj se do të kalojë një kohë derisa të fillojë ky proces, tha ai.

Trepça aktualisht merret me nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve, kryesisht të plumbit dhe zinkut, por është edhe ndërmarrje industriale. Aktualisht në kuadër të kompleksit industrial të Trepçës punojnë dy miniera: Stantërgu dhe Artana. Prej fabrikave aktualisht punojnë: Industria Kimike, e cila prodhon sulfat-alumini, produkt ky që përdoret për pastrimin e ujërave.

Trepça është i vetmi prodhues i këtij lloji në Kosovë. Aktualisht është në funksion edhe Fabrika e Pajimeve dhe Procesit, e cila është një fabrikë logjistike për minierat, por që prodhon me porosi pajisje metalike, rimorkio për traktorë edhe për tregun e gjerë. Nga minierat xehja e plumb-zinkut përpunohet deri në koncentrat, të cilat shiten më pas në tregun evropian. Deri në fund të vitit Trepça planifikon të eksportojë rreth 10 mijë tonë koncentrat.

Aktualisht në ndërmarrjen Trepça janë të punësuar 1.345 punëtorë të rregullt, por janë edhe rreth 4.500 të tjerë që marrin pensione të parakohshme dhe stipendione nga Trepça dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pasi që nuk ka punë për ta, për shkak të gjendjes së krijuar para, gjatë dhe pas luftës.

Sa i përket pretendimeve të Serbisë se ata janë duke paguar borxhe për Trepçën, Bislim Muqa tha se për këtë çështje ekziston një dosje në Dhomën e Veçantë të Gjykatën Supreme të Kosovës, që merret me kontestet e privatizimit.

Por e gjithë çështja është në moratorium, për sa u përket pretendimeve që kanë paraqitur kompanitë e huaja ndaj Trepçës. Ndërkaq, menaxhmenti i ndërmarrjes nuk i njeh këto borxhe, duke pas parasysh se në atë kohë shqiptarët kanë qenë të përjashtuar nga puna në ndërmarrje. Por megjithatë, për këtë do të vendos gjykata kompetente, tha Muqa.

Muqa tha se që nga ardhja e drejtorit të ri menaxhues, Ferat Shala, janë përmirësuar ndjeshëm kushtet e punëtorëve si: rritja e pagave, mjetet mbrojtëse adekuate në punë, përmirësimi i cilësisë së ushqimit etj. Muqa potencoi se këto ditë do të fillojë ndërtimi i muzeut modern të kristaleve në Stantërg. Ky projekt do të kushtojë mbi 500 mijë euro. (KosovaLive)

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›