Rreziku i heshtur Urës së Dragotit
KËLCYRË - Të marrësh rrugën për në jug të vendit e përkatësisht për në Këlcyrë, sidomos kur nisesh nga Tirana, është pak a shumë një aventurë. Pasi kalon qytetin e Fierit ke dëgjuar se rruga nuk do të jetë aq e rehatshme, madje hera-herës nuk ngurron edhe të pyesësh veten nëse nisja e këtij rrugëtimi ia ka vlejtur.
E megjithatë gjithçka ndryshon pasi kalon Tepelenën dhe tabelat të tregojnë ndarjen e rrugës për në Gjirokastër nga ajo për në Këlcyrë. Tronditjet e rrugës janë të ndjeshme për arsyen e thjeshtë se asfalti është ai i para viteve '90.
Por edhe natyra është e tillë: e paprekur, veçse me një blerim tërheqës dhe çlodhës. Pak para se të mbërrish në urën e Dragotit mbi lumin Vjosë ndesh edhe tabelën orientuese ku shkruhet "Në urë: Të kalojë një mjet i vetëm jo autokolonë me peshë 20 ton.
Autobuzat të kalojnë urën pa pasagjerë". Mania për të bërë foto e kthen objektivin nga tabela në drejtim të urës së hekurt, e cila të duket gjigante dhe e pamposhtur për të mos qenë "e zonja" që të mbajë një autobus me 50 vetë në të.
E gjithsesi, tabelat janë ato që cilësohen urdhëruese për drejtuesit e automjeteve dhe të vendosura nga personat përgjegjës, të cilët sigurisht kanë dijeni të plotë për anën teknike të urës.
Këtë objekt është bukur ta kalosh si këmbësor, pasi në krahë të urës janë krijuar edhe vendkalime për ata që ecin, duke qenë se hapësira në qendër të saj është për kalimin e një automjeti të vetëm.
Era të merr me vete, teksa ecën në "rrugën" e këmbësorit e të duhet të tregohesh i kujdesshëm pasi edhe mund të biesh. Në konstruktin e hekurt të urës është shkruar viti 1936, kur edhe pretendohet se është ndërtuar.
Personat me të cilët udhëtoj më bëjnë të ditur se ndërtuesit kanë qenë italianë dhe në kohën kur kanë mbaruar punimet, në cep të urës kanë lënë edhe një gur gëlqeror, i quajtur ndryshe "guri i garancisë". Sipas tyre, në momentin që guri do të shkrinte, nuk do të kishte më garanci për kalimin mbi urë.
Dhe në fakt, e kërkon me sy gjetjen e atij guri, por në vend të tij dallohet vetëm një vend bosh, por që të lë idenë se dikur ka pasur diçka mbi të.Udhëtimi i paskalimit të urës është vërtet i kënaqshëm.
Lumi Vjosë është një shoqërues i pandashëm dhe të njëjtën gjë bën edhe natyra fantastike e kësaj pjese jugore të vendit që të bën ta harrosh urën dhe faktin se sa herë udhëton me autobus të duhet të bësh një zbritje - hipje për të vajtur më pas në destinacionin e duhur.
Në një kërkim pas kthimit në Tiranë të tundon ideja e urës e sidomos tabelës që këshillon zbritjen e pasagjerëve nga autobusi. Si rrjedhojë në disa gërmime të kryera mund të gjesh se ka pasur persona që kanë shkruar për të, si dhe për gurin e garancisë. Më pas shkruhet se mbi urën janë bërë ndërhyrje të tjera pas përfundimit të kësaj "garancie" të lënë nga italianët.
Por ndërkohë, tabela qëndron stoike. Në vendstacionin e autobusëve të Përmetit dhe Këlcyrës, një prej pyetjeve që u bëhet drejtuesve është edhe nëse i zbresin pasagjerët para se të kalojnë urën e Dragotit: "Patjetër që jo", përgjigjet njëri prej tyre, duke vijuar se nuk është e nevojshme. "Po tabela?", ngre zërin pyetja.
"Tabela? Ajo është kot. Dyshemeja e urës është e shtruar dhe nuk ka asnjë rrezik", vijon përgjigjja. Moszbritja e pasagjerëve për të kaluar urën e Dragotit konfirmohet edhe nga banorë të Këlcyrës, të cilët thonë se në udhëtimet nga qyteti i tyre për në Tiranë apo kudo nuk u është dashur kurrë që të zbresin autobusin për ta kaluar urën në këmbë e më tej për të rihipur sërish për të vijuar udhëtimin. Ndërkohë, tabela paralajmëruese vijon të qëndrojë "kokëfortë", ashtu si edhe ura që ndodhet pas saj.
Ndoshta nga ana e Ministrisë së Transporteve mund të bëhet një rishikim lidhur me këtë tabelë, nëse duhet hequr apo jo, ose ndoshta Ministrisë së Brendshme do t'i duhet të bëjë një vëzhgim më të rreptë të zbatimit të këtyre tabelave, që në rast se nuk janë "kot", mund të shkaktojnë edhe viktima.