Rrezikuan pushuesit, Policia Kufitare bllokon dy gomone në Vlorë

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Policia Kufitare e Vlorës vijon kontrollet përgjatë vijës bregdetare për garantimin e sigurisë detare, duke ndëshkuar dy drejtues mjetesh lundruese që rrezikuan pushuesit duke lundruar pranë brigjeve.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, pas një denoncimi për një gomone që lundronte në afërsi të bregut në plazhin e Potamit, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin (DVKM) Vlorë lokalizuan mjetin në plazhin e Drimadhes, duke e ndaluar dhe bllokuar. Drejtuesi i tij, shtetasi H. L., u ndëshkua me gjobë administrative prej 500 mijë lekësh.
Gjatë patrullimeve në zonën e quajtur “Plazhi i Hidrovorit”, efektivët konstatuan një tjetër gomone që lëvizte në afërsi të bregut. Mjeti u ndalua dhe u bllokua, ndërsa drejtuesi, shtetasi E. Sh., u gjobit me 510 mijë lekë. Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se ai nuk dispononte në bord dokumentacionin e kërkuar nga ligji.
Policia bën të ditur se patrullimet do të vijojnë në të gjithë hapësirën detare të qarkut Vlorë, me synim parandalimin e shkeljeve që cenojnë sigurinë e pushuesve.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve, pushuesve dhe vizitorëve të denoncojnë çdo rast paligjshmërie që rrezikon sigurinë detare, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe në përputhje me ligjin.
/gj.m/j.p