E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezimi i Nanos, Berisha-Rama flasin mbi bashkepunimin

05/12/2011  Kryeministri Berisha komenton librin e kryesocialistit dhe prapaskenat politike

“Rama punoi me mua kundër Nanos”

“Kurbani” smund të lexohet, pasi përbën modelin më primitiv të qëndrimit

Kryeministri Berisha deklaroi nga Durrësi, gjatë takimit me një grup studentësh të universitetit “Aleksandër Moisiu”, se Rama bashkëpunoi me të për të larguar Nanon nga pushteti. Jashtë kostumit zyrtar, kryeministri zhvilloi dje paradite një bashkëbisedim me studentët me rastin e përvjetorit të Ditës së Rinisë, 8 dhjetorin e vitit 1990. Pikërisht duke iu përgjigjur interesit të tyre, Berisha komentoi edhe politikën e ditës. Ai i bëri një analizë librit “Kurbani” të Edi Ramës nisur nga pasazhet që ka lexuar në shtypin e përditshëm. Duke argumentuar se pse nuk do ta lexojë ndonjëherë të tërë librin, ai tha se Rama i ka trajtuar kundërshtarët e tij sipas modelit më primitiv të qëndrimit ndaj tyre. “Nuk e kam lexuar, sepse nga pasazhet që ka botuar shtypi, rezulton se ai operon në mënyrën më të vjetër me armikun e brendshëm. Kjo për njeriun e lirë është kryekëput e papranueshme. Gjatë 20 vjetve në politikë unë kam pasur dhe kam me dhjetëra bashkëpunëtorë, që sot janë me mua, bashkëpunojnë ose që kanë kaluar në kampet e tjera. Po marr dy prej tyre. Po marr Spartak Ngjelën dhe Preç Zogajn. Do tju tregoj një gjë intime. Sa herë që bie fjala për ta, absolutisht kujtoj vetëm momentet e bashkëpunimit me ta. Sa herë që bie fjala për avokatin, unë kujtoj fushatën e tij me të cilën ai kontribuoi”, - tha Berisha. Duke vendosur paralelizëm me kreun e opozitës, Berisha iu referua sjelljes së Ramës me ish-kryeministrin Nano. “Nuk mund të operosh kurrë, nuk mund ta trajtosh bashkëpunëtorin tënd si një armik. Mënyra se si e përshkruan ai Fatos Nanon, është identike me atë të Enver Hoxhës për Haxhi Lleshin apo për Zoi Fundon, apo për ndonjë tjetër, që ai e ka ekzekutuar. Për një njeri që e mori nga Parisi, e bëri ministër, e kandidoi për kryetar bashkie dhe ky në fund punoi së bashku me mua për rrëzimin e tij, se ato sheshet e “Mjafit” i mbushte PD-ja”, - deklaroi Berisha. Duke analizuar gjithashtu qëndrimet e dy politikanëve, Berisha vlerëson qëndrimin e Nanos pas humbjes së PS-së më 2005-n, krahasimisht me atë të Ramës pas humbjes së zgjedhjeve më 2009. “Zoti Rama ka të regjistruar në politikë zinxhirin më të gjatë të disfatave politike dhe rezulton se nuk është marrë aspak me analizën e tyre, çka do më interesonte. Urdhëro, zotëria ka pësuar vetë personalisht disfatë pas disfate dhe disfatën më të rëndë personale dhe nuk ikën. Fatos Nano iku, humbi zgjedhjet dhe iku, nuk ka asnjë interferencë”, - tha kreu i qeverisë.

Dy drejtuesit kryesorë të klasës politike përplasen për “Kurbanin”

“Është keqardhje të kesh një lexues të gjynahtë si Saliu”

“Kurbani” vijon të jetë sërish objekt i replikave në distancë mes dy drejtuesve të kampeve politike. Kështu, kryeministrit Sali Berisha i është referuar pikërisht librit që nxori në treg kreu i PS-së, Edi Rama, si dhe përshkrimit që ky i fundit u bën disa prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare. Gjatë një takimi me të rinjtë në qytetin bregdetar të Durrësit kreu i ekzekutivit u përqendrua te portreti me të cilin Rama e ka paraqitur në libër paraardhësin e tij. “Mënyra se si e përshkruan ai Fatos Nanon absolutisht është mënyra më primitive njerëzore, e cila është identike me ato të Enver Hoxhës për Haxhi Lleshin. Të harrojmë gjithçka shkruan për Sali Berishën. Dakord, është armiku i jashtëm, por një njeri që e mori nga Parisi, e bëri ministër, e kandidoi për kryetar bashkie dhe kryetar e bëri PS-ja. Në fund ai punoi së bashku me mua për rrëzimin e tij, se ato sheshet e “Mjaftit” i mbushte PD-ja”, - vuri në dukje Berisha gjatë fjalës së tij përpara të rinjve.

Por kundrejt një deklarate të tillë ka ardhur dhe përgjigjja e kreut të Partisë Socialiste Edi Rama, i cili, i ndodhur në Maqedoni, zgjodhi rrjetin social “Twitter” për të bërë publik qëndrimin e tij. “Unë punoja me Saliun për të rrëzuar Nanon? Aq sa çkam punuar me këtë rrenacak pa cak për të shkruar në libër se çfarë mendoj për Fatosin. Është keqardhje të kesh një lexues të gjynahtë si Saliu, që merret me librin gjithë ditën, po nuk thotë dot që e ka lexuar”, - shkruan Rama në faqen e tij personale në “Twitter”. Ndërkohë në adresë kreu i socialistëve, edhe pse me një fjali të shkurtër, shigjetoi ashpër kryeministrin Berisha edhe lidhur me deklaratat për situatën ekonomike të qytetarëve shqiptarë. “8000 dollarë për frymë kanë shqiptarët sot thotë Saliu, sepse nuk jeton në Shqipëri, po në oborrin e pasurive të vjedhura”, - vlerësoi Rama sa i takon një çështjeje të tillë. Së fundi, replikat dhe kundëreplikat mes tyre dy drejtuesit kryesorë të klasës politike kanë zgjedhur ti Villon në këtë mënyrë, duke vendosur një traditë të re komunikimi.

Vizita në Maqedoni

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ndodhet në Maqedoni për të promovuar librin e tij “Kurban”. Në vizitën e tij Rama zhvilloi një takim me kryeministrin maqedonas Nikola Gruevski. Gjithashtu në axhendë janë përfshirë dhe takime me liderët e partive politike shqiptare, kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti dhe kryetarin e PDSH-së Menduh Thaçi.

Promovimi i librit u bë të shtunën në Shkup në Qendrën Teatrore për Fëmijë, ndërsa dje në Tetovë. Rama viziton Maqedoninë pas vizitës së tij në Kosovë.

Kryeministri rrëfen pikëpyetjet e mëdha gjatë kohës si kryetar shteti e qeverie

Dy momentet më të vështira të Berishës

“Guvernatori i bankës qendrore më kërkoi shndërrimin e piramidave në banka”

Skemat piramidale dhe terapia e shokut kanë qenë dy momentet më të vështira që ka hasur kryeministri Berisha gjatë karrierës së tij politike. Gjatë një rrëfimi para studentëve të “Aleksandër Moisiut” shefi i ekzekutivit shqiptar shtjellon dilemat e tij në ato kohë. Njehsimi i çmimeve të shportës me atë të tregut në vitin 1992 si dhe pikëpyetja për dëmshpërblimin e të dëmtuarve nga piramidat duket se kanë qenë provat më të vështira për kreun aktual të qeverisë, dikur president i vendit. “Momentet më të vështira të karrierës sime politike kanë qenë dy. Moment i vështirë, shumë i rëndë për mua ishin skemat piramidale. Ne nuk dinim se çfarë ishin. Më 17 janar të vitit 1996 guvernatori i bankës qendrore më bën një letër, ku më paralajmëron për rrezikun e tyre dhe më kërkon që ato të shndërrohen në banka. Imagjino dhe ai vetë se çfarë koncepti kishte, që ishte katastrofa më e madhe, nëse ato do të shkonin drejt bankave. Ato vetëm banka nuk mund të shndërroheshin kurrë. Ato u fuqizuan shumë, gjykata u dha të drejtë atyre, për fat të keq, dhe vendosëm që cilado që ishte piramidë ta bllokonim”, - tregoi Berisha. Ai foli edhe për premtimin e kryeministrit të asaj kohe Fatos Nano për tu paguar qytetarëve lekët e humbur në piramida, premtim të cilin vetë Berisha nuk mund ta mbante për një arsye. “Tua merrje paratë atyre që nuk kishin marrë pjesë në skemat piramidale dhe tua jepje atyre që kishin humbur paratë, nuk kishte moral. Unë u thashë: Jo, nuk mundem të bëj një akt të tillë moral, sepse kjo do të thoshte të njihja një borxh që nuk ishte marrë kurrë nga qeveria. Dhe u vërtetua se qeveria nuk kishte prekur asnjë qindarkë prej tyre”, - vijoi kryeministri. Momenti tjetër më i hershëm ishte ai i njohur si “terapia e shokut”. “Momenti i parë i vështirë ka qenë terapia e shokut. Nga njëra ana ishte grupi i shportës, nga ana tjetër tregu, që nuk pranonte kurrë të punonte me këto çmime, askush nuk kishte interes të punonte tokën. Në një moment nga FMN-ja u kërkua që buka të rritej dhjetë herë. Sigurisht që ishte dhimbje, që ishte shumë e vështirë, sepse në të vërtetë çdo kafshatë numërohej, por absolutisht ishte e vetmja rrugë për të mbushur dyqanet, sepse dyqanet tona ishin bosh, magazinat tona ishin bosh, sepse ishte punuar vetëm 20 për qind e tokës bujqësore në këto u përmbysën. Në fund të katër vjetve ne arritëm të shmangim pasojat”, - rrëfeu shefi i ekzekutivit.

Preferencat letrare

Në preferencat e tij letrare kryeministri veçoi prefencat kryesisht par letërsinë botërore. “Me shkrimtarët unë kam këtë raport: për vite të tëra mbaj njërin më shumë, pastaj kaloj tek tjetri. P.sh., në vit të dytë në fakultet gjatë gjithë vitit kam lexuar vetëm Dostojevskin. Problemi ishte se duke lexuar edhe mjekësi, zhyteshe edhe më thellë sesa duhej në personazhin e tij. Pastaj kam qenë shumë i pasionuar pas Viktor Hygoit, Ernest Hemingueit, Gabriel Garsia Markesit, Xhejms Xhojsit. Me shkrimtarët nuk qëndroj shumë besnik vetëm me një. Poetët i dua shumë, lexoj poezi, lexoj dhe si një lloj ushtrimi, sepse poezia të kërkon të përqendrohesh, se nuk mund të lexosh poezi pa u përqendruar, por dhe e dua dhe më disiplinon mendimin”, - tha Berisha.

Çështja pronave

“Në këta 20 vjet e drejta e pronës në masën dërrmuese, mbi 80%, ka marrë zgjidhje ligjore, kushtetuese. Kjo e drejtë nuk do të thotë se është zgjidhur, se dhe 1% po mbeti pa zgjidhur, duhet të zgjidhet. Cili ka qenë qëndrimi ynë? Ka një qëndrim i kompensimit simbolik dhe e kanë ndjekur disa vende, ndërsa ne kemi ndjekur qëndrimin e njohjes në vlerën e tregut, që është shumë herë më i kushtueshëm dhe jep zgjidhjen më të plotë. Megjithëse ka probleme të mëdha me pronën që krijohen me mbivendosjet, keqvendosjet dhe falsifikimet, do të marrin përgjigje nëpërmjet hartës dixhitale. Ne po ndërtojmë regjistrin e tokës dhe pas ndërtimit të regjistrit puna nuk ndërpritet, por ky regjistër do ti japë vlerësim real të gjitha përmasave të problemit.”

Preferencat muzikore

“Dëgjoj muzikë dhe iPad, iPhone, i krijojnë një avantazh të jashtëzakonshëm njeriut. Cili është avantazhi për mua? Sepse më jep mundësi të dëgjoj edhe këngët e para, që më kanë bërë përshtypje në jetë, kur kam qenë fëmijë 5-6 vjeç dhe ato të sotme. Kam dashur shumë këngëtarë dhe vazhdoj ti dua. Dhe me këngëtarët, se kur ke një fonotekë të pasur të shtrirë në kohë, por natyrisht dhe unë kam ato listat e mia më të pëlqyera në iPhone. Në listat e mia më të pëlqyera do të gjesh këngëtaren franceze Edith Piaf, por do të gjesh dhe këngwtaren angleze Adele, apo këngëtarja tjetër Amy Winehouse. Do të them dhe një gjë tjetër tani, unë për bashkëkohoren kam si instruktore mbesën time, Sarën 14-vjeçe, dhe unë u besoj zgjedhjeve që bën ajo.”

Integrimi në BE

“Për ne integrimi në BE mbetet prioriteti më i madh i këtij shekulli pas anëtarësimit në NATO dhe ne do të vazhdojmë me të gjithë përpjekjen tonë të përmbushim çdo detyrim që rrjedh në procesin e anëtarësimit. Në mënyrë të padiskutueshme ne kemi pasur një pengesë dhe unë e kam theksuar se përderisa një forcë kryesore politike merr përsipër të mos votojë ligjet me 3/5-at, që kërkohen nga BE-ja, Brukseli ka të drejtë të na thotë zgjidhni këtë problem.”

Cilësia e arsimimit

“Do të fillojë ndërtimi i kampusit të ri universitar dhe ju garantoj se do të keni një kampus shumë modern. Por prapë këto nuk mjaftojnë, duhet të gjejmë stimulin, nxitjen që tju shtyjë ju drejt cilësisë, ti shtyjë pedagogët drejt cilësisë. Sot dy tregues kemi arritur ne më kryesoret: 70 % e atyre që mbarojnë maturën hyjnë në universitete dhe 91% e atyre që mbarojnë klasën e nëntë hyjnë në shkollën e mesme, këto janë arritje të mëdha, tani duhet të përsosemi drejt cilësisë.”

Mohim i meritave të Alisë

“Studentët shmangën luftën civile”

Duke ia adresuar studentëve, që u përballën me regjimin “disa herë më mizor se regjimi i Gedafit”, të gjithë meritën për të shmangur një luftë civile, një konflikt civil, kryeministri Berisha mohoi atë të ish-presidentit Alia. “Ish-diktatori i fundit, i cili vdiq pak muaj më parë, deklaroi shumë vjet më vonë se nuk ishte dakord me pluralizmin, por e pranoj, nuk solli tanket në Qytetin Studenti. E bëri këtë që të mos pësonte fatin e Çausheskut? Cila është arsyeja, ne e kemi vlerësuar dhe e vlerësojmë se tanket nuk erdhën në Qytetin Studenti. Por ministri i tij i Brendshme më 20 shkurt, kur qytetarët dhe rinia studentore e Tiranës përmbysën bustin e diktatorit Hoxha, deklaroi: “Më dha urdhër të qëlloja mbi njerëzit dhe unë nuk qëllova.” Ai kurrë nuk përgënjeshtroi se nuk kishte dhënë urdhër, çka do të thotë se kishte dhënë urdhër. Dhe kjo akuzë nuk vinte nga opozita, por vinte direkt nga njeriu që merrte urdhra nga presidenti i vendit”, - deklaroi Berisha. Vitin 1990 ai e konsideroi pa hezitim si “annus mirabilis”, viti i mrekullive, dhe si vitin më përcaktues në historinë e shqiptarëve pas vitit të pavarësisë së Shqipërisë.

E vërteta profesionale

“Nuk besoja se do të shihja ditë të lira”

Në fjalën e tij para studentëve kreu i qeverisë ka rrëfyer një të vërtetë të padeklaruar më parë. Duke folur për të zezat e sistemit komunist dhe vuajtjet e popullit shqiptar, kryeministri tha se të tilla rrethana, ndonëse i vendosur ti kundërvihej atij regjimi me çdo çmim dhe me çdo kusht, nuk kishte besuar kurrë se do të shihte ndonjë ditë të lirë. “E vërteta është se shqiptarët pothuajse ishin projektuar të qëndronin në fatin e tyre. Nuk kishte komb që hyri në vitin 90 më fatkeq se kombi ynë: brenda në një varfëri, mjerim dhe shtypje ekstreme, jashtë i shtypur. Këta ishin shqiptarët në vitin 90, të shtypur në Kosovë, të shtypur në Maqedoni, të shtypur në Malin e Zi dhe po kaq të mjeruar dhe të shtypur në Shqipëri. Në këto rrethana, unë dua tju rrëfej një të vërtetë profesionale. Ndonëse i vendosur ti kundërvihem atij regjimi me çdo çmim dhe me çdo kusht dhe kisha filluar shkrimet dhe qëndrimet e mia, nuk kisha besuar kurrë se do të shihja ndonjë ditë të lirë. Ne ishim në izolim të plotë”, - tha numri një i qeverisë shqiptare. Dhe këtë terr të madh, vijoi Berisha, e çorën të rinjtë e universiteteve të Tiranës, të cilët u ngritën më 8 dhjetor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›