E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ther gruan me thikë për xhelozi

05/12/2011  Burri 51-vjeçar e braktisi në rrugë, më pas u vetëdorëzua në polici

Viktima rëndë në spitalin e Shkodrës, ngjarja pas një debati të momentit

SHKODER- Motivi i xhelozisë është bërë shkak i një plagosjeje të rëndë brenda një familje të qytetit të Shkodrës. Një burrë ka qëlluar me thikë bashkëshorten tij dhe më pas është dorëzuar në polici duke denoncuar veten se kishte vrarë të shoqen. Fatmirësisht e plagosura kishte shpëtuar gjallë, por në gjendje të rëndë shëndetësore. Ngjarja ka ndodhur gjatë paradites së të dielës në aksin rrugor Shirokë-Zogaj, kur bashkëshortët Sami Baraku 51 vjeç dhe Vjollca Baraku, 47 vjeçe po ktheheshin në shtëpi, pasi kishin pirë kafe një nga lokalet e zonës turistike në fjalë. Burimet policore shprehen se autori i ngjarjes, shtetasi Sami Baraku ishte vetëdorëzuar në polici menjëherë pas kryerjes së veprës penale. Të njëjtët burime sqarojnë se autori kishte lajmëruar policinë për goditje për vdekje ndaj së shoqes dhe njëkohësisht i ka treguar dhe vendin, buzë Liqenit të Shkodrës, ku ndodhej trupi. Forcat e policisë kanë kryer ndalimin e shtetasit Sami Baraku dhe menjëherë janë nisur në drejtim të vendngjarjes, së bashku me dy fëmijët e çiftit, një djalë dhe një vajzë, në moshë madhore. Policia ka arritur ta gjejë shtetasen Vjollca Baraku, por ajo nuk kishte ndërruar jetë, pavarësisht plagës së rëndë që kishte marrë në trup nga thika e të shoqit. Forcat e policisë kanë dërguar me shpejtësi shtetasen e plagosur për në spitalin rajonal të Shkodrës, ku i është nënshtruar ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve të këtij spitali. Burimet spitalore shprehen se gjendja e të plagosurës vijon të jetë tepër e rëndë. Për fëmijët e çiftit dhe për të afërmit e tyre, ngjarja ka qenë tepër e papritur, pasi dy bashkëshortët nuk kishin shfaqur ndonjëherë shenja të mosmarrëveshjeve të rënda mes tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›