E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzimi i kërkesës për Beratin, Rama: Vendimi i hapi rrugë mosnjohjes së qeverisë

TIRANË- Një ditë pasi Kolegji Zgjedhor rrëzoi padinë e socialistëve për Beratin, lideri i opozitës Edi Rama ka deklaruar se forca që drejton do t'i kundërvihet pa asnjë rezervë dhe kompromis pushtetit të korruptuar dhe qeverisë që del nga ky korruptim.
Gjatë një konference për shtyp ai ka vënë në dukje se vendimi i djeshëm shënon edhe njëherë presionin në rritje ndaj drejtësisë. "Dje pushteti mbylli përmes një padrejtësie alarmante rrugën e transparencës ligjore për procesin zgjedhor në Berat, por hapi rrugën e mosnjohjes nga ana jonë të qeverisë që del nga pushteti i korruptuar"- tha Rama. Sipas tij, Berisha grabiti përkohësisht mandatin e socialistëve në Berat, por përcaktoi edhe koston shumë të lartë politike që duhet të paguajë.
Ai ka garantuar se sot më shumë se kurrë është koha kur PS-ja është e vendosur t'i kundërvihet pushteti të korruptuar pa asnjë rezervë pa asnjë kompromis.
"PS do angazhohet për zbardhjen e krimit të 28 qershorit duke i përfaqësuar denjësisht shqiptarët që e votuan me shumicë për një politikë të re dhe për mbrojtjen e të drejtës së tyre. PS do të dalë në këtë betejë me besimin se misioni i saj është të mbrojë lirinë dhe të shpëtojë demokracinë nga pushteti i kthyer në një regjim"- theksoi ai.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›