E Shtunë, 31 Tetor 2026

Starton sot "Top Fest 6"

Festivali i vetëm i muzikës moderne shqiptare, për 32 ditë do të sjellë një maratonë të gjatë transmetimi të këngëve konkurruese. Formula e kthyer në një traditë të përvitshme, do t‘i ofrojë publikut shqiptar një larmishmëri rrymash dhe tendencash muzikore. Këtë vit prurjet kanë qenë të shumta. Mes tyre, stafi organizues ka zgjedhur rreth 200 krijime, nga të cilat çdo ditë në emisionin "Select" në "Top Channel" do të transmetohen 6 këngë. Ndërkohë, prezantimi i krijimeve bëhet i plotë përmes hapësirës që do t‘u jepet në platformën dixhitale, në radiot "Top Albania Radio" dhe "My Music". Kështu, në përfundim të kësaj maratone transmetimi, këngët do të jenë bërë të njohura dhe të dashura për publikun, i cili përgjatë më shumë se një muaji do të ketë bërë edhe përzgjedhjen e këngëve, këngëtarëve apo grupeve konkurruese. Regjisori dhe autori i këtij festivali, Bojken Lako, thekson se janë të shumtë këngëtarët që kanë zgjedhur "Top Fest" për të prezantuar krijimet, kjo edhe falë strukturës që ofron një kohëzgjatje më të madhe, gjë që e dallon këtë festival nga çdo organizim tjetër në Shqipëri. "Në edicionin e 6-të marrin pjesë këngëtarë që në një farë mënyre janë të familjarizuar me këtë festival, por edhe të rinj që ngjiten në skenën e "Top Fest" për herë të parë. "Top Fest" nuk është thjesht një festival ku fitohen disa çmime. Është një strukturë e tërë mediatike që stimulon artistët, qofshin ata të rinj apo të afirmuar, ta shohin si të vlefshme dhe të domosdoshme pjesëmarrjen në këtë festival", shprehet Lako. Sipas tij, formula e zgjedhur u mundëson artistëve të jenë më afër publikut, të mos zhduken. "Ky nuk është një spektakël televiziv prej dy apo tri netësh që ka një formë të caktuar televizive. I ndihmon këngëtarët të lënë gjurmë të mira në muzikën shqiptare", thekson Lako. Pesë edicionet e mëparshme garantojnë për suksesin e këtij festivali. Që në fillimet e tij, "Top Fest" u kthye në një arenë e eksperimentimit muzikor, një skenë që u dha mundësi këngëtarëve dhe publikut të prekin nga afër rrymat bashkëkohore dhe moderne. Që prej edicionit të parë e deri më sot, shumë të rinj nga të gjitha hapësirat shqiptare janë promovuar në këtë festival e janë bërë sot emra të njohur të muzikës shqiptare. Shtrirja gjeografike e "Top Fest" vazhdon edhe këtë vit. Konkurruesit vijnë nga të gjitha trojet shqiptare. Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi. Festivali përfshin edhe ata që jetojnë në vende të tjera. Tashmë me një traditë 6-vjeçare, regjisori Bojken Lako e quan këtë festival si një proces të menaxhimit muzikor. Ndërkohë që nëndrejtori i përgjithshëm i "Top Channel", Adi Proko, vë edhe njëherë theksin te struktura që e dallon këtë festival nga gjithë të tjerët. "Top-Fest orientohet nga përfshirja në konkurrim e të gjitha rrymave muzikore. Kjo larmishmëri e bën të dallueshëm dhe të suksesshëm në krahasim me festivalet e tjera. Formula e zgjedhur për këtë produksion sjell alternativa dhe koncepte të reja të muzikës, mundësi që edhe këngëtarët shqiptarë të prezantojnë tendencat që vijnë edhe si pasojë e ndikimit të muzikës botërore", shprehet Proko. Ndërkohë që sot fillon transmetimi televiziv në "Top Channel", puna e stafit vazhdon që gjithçka të jetë gati për spektaklin final. Një element i rëndësishëm i natës finale është skena, skenografia, e cila i është besuar Fatmir Mingës, ndërsa ndriçimi Vladimir Markos. "Spektakli është një formë artistike për të qenë pjesë e programeve televizive mes gamës që ka "Top Channel" në përgjithësi dhe e rrymës novatore që ndjek. Spektakli është një finalizim i rrugës së gjatë me 32 seri, përmes vlerësimit të artistëve edhe me çmimet që jepen për kategori të ndryshme", shpjegon regjisori Bojken Lako. Nata finale është gjithashtu një spektakël i konceptuar ndryshe, duke iu përshtatur frymës novatore që përshkon në tërësi festivalin "Top Fest".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›