Ana e errët e një shkrimtari
Teksa nis e zbulon jetën dhe veprën e George Simenon të vjen natyrshëm të pyesësh: por, a ishte njerëzor? Sepse Simenon ishte i pajisur me energji, krijuese dhe erotike, të jashtëzakonshme. Shkroi më shumë se 400 romane nën pseudonime të ndryshme, një numër të pafund tregimesh dhe skenarë për filma dhe kur ishte në fund të jetës, pasi kishte vendosur se do t‘i jepte fund të shkruarit, la në dorëshkrim me mijëra faqe kujtimesh. Ai arrinte të shkruante një roman për një javë ose në dhjetë ditë, duke shtypur në makinën e shkrimit pa pushim, pa iu kthyer asnjëherë mbrapa punës (dhe ndonjëherë kjo vihet re). Thuhet se në Paris, në vitet ‘20, shkrimtari i kishte dhënë fund marrëdhënies me Josephine Baker, yllin amerikan, këngëtares së klubeve të natës, sepse gjatë vitit që qëndroi i lidhur me të, pasioni e kishte shpërqendruar prej krijimtarisë. Kishte shkruar vetëm tre apo katër libra. E jo pak herë shpërqendrohej një tip si ai. Në vitin 1976, kur ishte 70 vjeç, në një intervistë, i rrëfen mikut të tij, Federico Fellini, se kishte pasur marrëdhënie me 10.000 gra. George, lindi në Liegi, në Belgjikë në vitin 1903, nga një baba shpirtmirë, por i dobët dhe një nënë e tmerrshme me të cilën gjatë gjithë jetës së gjatë që ajo pati, pati një marrëdhënie urrejtje-dashuri të përhershme. Në moshën 16-vjeçare la shkollën për t‘u bërë reporter i "Gazette de Liège", dhe u bashkua me "Caque", një grup dandi dhe bohemian që kishte si udhëheqës shpirtëror piktorin Luc Lafnet. Në vazhdim Simenon e përshkroi atë të diel qershori të vitit 1919 kur u njoh me Lafnet si "një prej ditëve më të rëndësishme të adoleshencës sime". "Caque" ishte një grup të rinjsh të shfrenuarish që pinin alkool e përdornin drogë dhe predikonin dashuri të lirë. "Ishim një elitë", shkroi më vonë Simenon. "Një grup i vogël gjenish që na bashkoi rastësia". Por ata ishin edhe të rrezikshëm dhe në më shumë se një rast treguan se ishin edhe vetëshkatërrues. Në agimin e një ditë dimri, pas një nate të kaluar duke pirë një nga djemtë e grupit, Joseph Kleine, "le petit Kleine", aspirant artist dhe kokainoman, u gjet i varur në portën e kishës Saint-Pholien në Liegi. U mendua për vetëvrasje,ose për një vrasje të kamufluar. Mëngjesin pasardhës "Gazette de Liege" shkroi se të riun pa dyshim që e kishin vrarë. Kaluan shumë vite para se Simenon të pranonte se ishte ai autori i atij artikulli, i cili doli para se policia të vazhdonte me hetimet. "Doja të deklaroja pafajësinë tonë", shkroi në kujtimet e tij. "Ose edhe mungesën e paramendimit për vrasje... Nuk e dinim në çfarë gjendje ishte ‘petit Kleine‘. Por në fund të fundit, nuk jemi ne ata që e kemi vrarë?". Imazhi i trupit të varur i la shenjë Simenonit. Romani i dytë i personazhit të tij ta famshëm, Maigret, titullohet "I varuri i Saint-Pholien", dhe në një nga romanet e tij më të bukura "Gli intrusi", publikuar në vitin 1940, ka në qendër një bandë të rinjsh të shfrenuarish dhe vetëshkatërruesish, që është quajtur qartësisht "Caque", çmenduritë e të cilëve kulmojnë me një vrasje. Simenon e njihte shumë mirë atë që përshkruante. Në vitin 1920, në moshën 17-vjeçare, publikoi romanin e parë "Au Pont des Arches", i shoqëruar me ilustrime të artistëve të ndryshëm, mes të cilave edhe ato të udhëheqësit të tij shpirtëror satanikut Lafnet. Këtë libër, Simenon e kishte firmosur me pseudonimin Georges Sim, një pseudonim të cilin do ta përdorte edhe për disa kohë edhe pasi u transferua në Paris me pikësynimin për t‘u bërë shkrimtar. Nisi t‘i rrëfejë historitë e tij Colette-s, që në atë kohë ishte bashkëpunëtore e gazetës "Le Matin", e cila e këshilloi të përsoste në maksimum stilin e tij. Kjo ishte me siguri këshilla më e mirë që pat marrë ndonjëherë, të cilën e ndoqi me përpikmëri. Nisi të shkruante tregime popullore duke arritur një sukses të dukshëm, shkroi edhe rreth 20 libra të gjithë nën pseudonime të ndryshme. Kur ishte 25 vjeç, tashmë i pasur nisi një seri udhëtimesh në Evropë, Afrikë dhe më 1934-ën nëpër të gjithë botën. Puna e shfrenuar dhe të mosgjeturit asnjëherë qetësi, karakterizojnë një pjesë të madhe të jetës së shkrimtarit. Në vitin 1923 lidhet në martesë me piktoren e re, Régine Renchon, por martesa merr fund kur në Nju Jork, menjëherë pas luftës takohet me Denyse Ouimet, një franko-kanadeze rreth 18 vjet më e re se ai, të cilën e njohu ndërsa kërkonte një sekretare. U martuan në vitin 1950 në Reno dhe shkuan të jetonin në Connecticut, ku qëndruan për pesë vjet. Në vitin 1955 u kthyen sërish në Evropë, ku u stabilizuan në Lozanë në një shtëpi të madhe, të projektuar nga vetë ata. Kur edhe martesa e dytë u fundos (Simenon prej kohësh kishte nisur një marrëdhënie me shërbyesen), Ouimet bie në depresion. Në vitin 1964 lë shtëpinë për të shkuar në një spital të vërtetë. Pak më vonë edhe e bija Marie-Jo nisi kurat psikiatrike edhe pse pa asnjë rezultat. Në vitin 1978 vret veten. Marie-Jo që në fëmijërinë e hershme kishte qenë dëshpërimisht e dashuruar me të atin. Në volumin e kujtimeve të tij, të publikuar në vitin 1981, Simenon akuzon Ouimet për këtë tragjedi. Ouimet më parë kishte dëshmuar versionin e saj të ngjarjeve duke akuzuar të shoqin në kujtimet e saj të publikuara në vitin e vdekjes së të bijës. Në vitin 1930, kur për herë të parë botoi një libër me emrin e tij të vërtetë, u shfaq edhe personazhi më i njohur i Simenon, inspektori Maigret, detektivi me çibukun gjithnjë në gojë. Mes viteve 1930 dhe 1973, vit kur vendos të braktisi përfundimisht aktivitetin krijues për t‘u marrë me kujtimet e tij, Simenon shkroi rreth 80 romane me në qendër inspektorin Maigret. Mbi këtë personazh ngrihet edhe fama e këtij shkrimtari. Është përllogaritur se janë shitur më shumë se 500 milionë kopje të Simenon-it në më shumë se 50 gjuhë, por veprat e tij më të mira mbeten përherë romanet "durs", romanet e forta. Letërsia policeske, edhe kur është e fortë dhe kërcënuese, zakonisht ka një bërthamë sentimentale, sepse gati të gjithë shkrimtarët e romaneve të verdha janë romantikë të zhgënjyer. Willliam T. Vollmann, e krahason me shkrimtarin belg, Raymond Chandler. "Romanet e Chandlers", shkruan Vollmann, "janë noir, (të errët) por të përfshirë nga një dritë melankolie; ndërsa Simenon e ka veshur noir-in me një të errët të fortë e solide si zemra e një ylli xhuxh". "Ndoshta sepse gjithçka nisi me një dhunë të madhe, në gjak e në të vjella që çdo gjë arriti kaq shpejt në këtë pikë", shkruan vetë Simenon për krijimtarinë e tij. E megjithatë, këta romane "durs" mbeten gjithsesi vepra arti, të mëdha e mjaft të rafinuara, edhe pse të maskuara me veshjen e një letërsie popullore. Andre Gide, që e admironte Simenon, mendonte se ai nuk kishte shpërfaqur të gjithë potencialin e tij artistik dhe ka shumë mundësi gjithë sa Gide ka menduar të jetë e vërtetë nëse do të kishte gjetur mundësinë për t‘u vënë fre obsesioneve të tij e mbi të gjitha nëse do të kishte mundur të ngadalësonte ritmin, ndoshta edhe do t‘ia kishte dalë mbanë të shkruante veprën e madhe të cilën kaq shumë Gide e priti prej tij, por kjo vepër me siguri që nuk do të kishte qenë një "Simenon", sepse në "Simenon"-et që Simenon shprehte veten, gjendej edhe shpirti i vërtetë i tij.