Rrëzohet Vetëvendosja
Panelit gjyqësor në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës iu deshën pak javë për t’i dhënë përgjigje Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me kërkesën e tyre për të rishikuar kushtetutshmërinë e vendimit të Kuvendit për mirëpritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë.
Në seancën e djeshme, gjyqtarët votuan kundër kësaj kërkese, të cilën e kishte dorëzuar Deputetit Visar Ymeri nga VV’ja dhe 12 deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës.
“Gjykata Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, ka vendosur njëzëri që ta hedhë poshtë si të papranueshme kërkesën e deputetit Visar Ymeri dhe dymbëdhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes së cilës ata kontestuan kushtetutshmërinë e Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 04-V-279, i cili ndër të tjera, mirëpriti marrëveshjet e arritura në dialogun ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dhe përmes së cilit Kuvendi e mbështeste zbatimin e tyre të tërësishëm”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.
E, arsyetimi për këtë refuzim është se, Gjykata më e lartë në vend nuk paska juridiksion të mjaftueshëm për shqyrtimin e saj.
“Gjykata vlerësoi se natyra e kërkesës së parashtruesve ishte jashtë caqeve të juridiksionit të Gjykatës sipas Nenit 113.5 të Kushtetutës", vazhdon njoftimi. Kërkesa e Ymerit dhe të tjerëve ishte dorëzuar në janar të këtij viti, vetëm gjashtë ditë pasi që Kuvendi i Kosovës kishte miratuar vendimin për “mirëpritjen e marrëveshjeve” të cilat kanë dalë nga dialogu me Serbinë, si dhe “mbështetjen në zbatimin e tërësishëm të tyre”.
Zarfin me kërkesën dhe nënshkrimet e deputetëve, Ymeri e kishte dorëzuar vetëm një javë pasi ishte miratuar vendimi i kuvendarëve për të mirëpritur dhe mbështetur zbatimin e kompromiseve të arritura në dialogun me Serbinë.
Ymeri në një prononcim para mendrave e pati cilësuar vendimin e 20 janarit të Kuvendit të Kosovës si antikushtetues.
“Lëvizja ‘Vetëvendosje’ konsideron se përmbajtja e këtij vendimi është kundërkushtetues për faktin se marrëveshjet ndërkombëtare janë ratifikuar me shumicën e thjeshtë të të gjithë deputetëve dhe me vendim, e jo në bazë të Nenit 18 të Kushtetutës dhe të Ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare”, pati thënë Ymeri.
Për më tepër ishte shprehur optimist se do të merrte përkrahjen e nevojshme kushtetuese për pohimet e tij.
Këtë ndërkaq nuk e dëshmoi Kushtetuesja të hënën.
Express ka tentuar që të kontaktojë gjatë gjithë ditës me Ymerin dhe zyrtarët e tjerë të VV’së, mirëpo këta të fundit kanë thënë se nuk do të deklarohen për media derisa ta shqyrtojnë vendimin.
“Ende nuk e kemi marrë vendimin, posa ta kemi dalim me qëndrim”, ka thënë Erzen Vraniqi nga kjo lëvizje.
Ndryshe, kërkesa e Ymerit dhe të tjerëve ishte dorëzuar në Kushtetuese, në shenjë pakënaqësie për marrëveshjet e arritura me Serbinë, për të cilat vazhdon të ketë kritika të ashpra sidomos nga opozita.
Në kërkesën e tyre, parashtruesit pohonin se Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë janë dy shtete me subjektivitet juridik në të drejtën ndërkombëtare; ata konsiderojnë që vendimi i marrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ishte “ratifikim i marrëveshjeve ndërkombëtare” që kërkonte procedurën e parashikuar me Nenin 18 të Kushtetutës.
Gjatë seancës së mbajtur më 19 mars 2012, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës u këshillua dhe votoi për Rastin KO 05/12, „Kontestimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 04-V-279, të 20 janarit 2012“.
Në këtë rast, deputeti Visar Ymeri dhe dymbëdhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës parashtruan kërkesën përmes së cilës kontestuan kushtetutshmërinë e Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 04-V-279, i cili ndër të tjera, “mirëpriti marrëveshjet” e arritura në dialogun ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dhe përmes së cilit Kuvendi “e mbështeste zbatimin e tyre të tërësishëm”.
Në kërkesën e tyre, parashtruesit pohojnë se Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë janë dy shtete me subjektivitet juridik në të drejtën ndërkombëtare; ata konsiderojnë që vendimi i marrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ishte “ratifikim i marrëveshjeve ndërkombëtare” që kërkonte procedurën e parashikuar me Nenin 18 të Kushtetutës.
Gjykata Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, njëzëri vendosi që ta hedhë poshtë kërkesën si të papranueshme. Gjykata vlerësoi se natyra e kërkesës së parashtruesve ishte jashtë caqeve të juridiksionit të Gjykatës sipas Nenit 113.5 të Kushtetutës.
Teksti i plotë i Aktvendimit do t’u komunikohet palëve dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare në kohën përkatëse.
Lëvizja Vetëvendosje, subjekti i tretë për nga fuqia politike në Kosovë, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetueses përgjigje për kushtetutshmërinë e mocionit të Partisë Demokratike të Kosovës të miratuar më 20 janar në Kuvendin e Kosovës.
Pas depozitimit të kërkesës, përfaqësuesi i VV’së, Visar Ymeri është shprehur për mediat kosovare se Lëvizja e Albin Kurtit ka deponuar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, e cila konteston vendimin nr 04-V-279 të datës 20.1.2012 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e posaçërisht pikat në 1 dhe 2 të këtij vendimi.