E Shtunë, 31 Tetor 2026

I mërzitur me politikë

Behgjet Pacolli është lodhur nga skena politike e Kosovës. Lideri i AKR’së thotë se nuk është i interesuar t’i hyjë garës për postin e Presidentit të Republikës në këto rrethana të prapaskenave, intrigave dhe ndërskëmsave. Parlamenti i duket një arenë fyerjesh e sharjesh, e ku nuk prodhohet asnjë alternativë. Në një intervistë për Express, Pacolli ripërsërit kërkesën për ta marrë edhe një ministri, derisa konsideron se fusnota do t’i ndihmojë vendit.

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli nuk ka vendosur afate të reja për zbatimin e marrëveshjes për ndarjen e pushtetit me Partinë Demokratike të Hashim Thaçit.

Por, ai vazhdon të presë nga Kryeministri që t’ia ndajë këtë ministri.

Një vit më parë, Behgjet Pacolli kishte vënë si afat shtatorin e kaluar si datë kur duhej të respektohej marrëveshja, por për shkak të zhvillimeve në vend, ai thotë se nuk ka dashur të shkaktojë probleme.

“Marrëveshja është në realizim e sipër. Por, ju e keni parë se me çfarë intensiteti ka punuar Qeveria kohëve të fundit dhe do të ishte shumë jonormale të ndalemi dhe të bëjmë probleme. Megjithëkëtë, marrëveshja do të realizohet. Nuk ka tjetër”, ka thënë Pacolli, në një intervistë për gazetën Express.

“Ne nuk kemi hequr dorë nga kërkesa për edhe një ministri plus dhe disa poste zëvendësministrash”, vazhdon ai.

Në këtë intervistë, Presidenti i AKR’së, njëherësh Zëvendëskryeministër i Parë, ka folur edhe për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Tash, ai shfaqet skeptik rreth kandidaturës së tij, por insiston që zgjedhjet do të mbahen këtë vit.

Behgjet Pacolli duket i lodhur.

“Ende nuk kam vendosur nëse do të kandidoj për President të Republikës. Po e pres përfundimin e ndryshimeve kushtetuese...”, thotë ai.

“Unë nuk jam i interesuar për postin e Presidentit në këtë kohë, kur ndodhin gjithë këto prapaskena, ndërskamca... Jam i lodhur prej kësaj politike”, ka deklaruar Behgjet Pacolli për gazetën.

Sa u përket ndryshimeve kushtetuese dhe paralajmërimit se do të lejohen të kandidojnë qytetarët me dyshtetësi, ai thotë se kjo duhet të shihet tek pasi të votohen ndryshimet në Parlamentin e Kosovës.

“Nuk besoj se ka kaluar ai propozim, pa u votuar në Parlament. Nëse miratohen ndryshimet kushtetuese dhe lejojnë qytetarët të kandidojnë me dy shtetësi, atëherë është mirë, sepse nuk shkelen të drejtat e njeriut”.

Prej se është arritur marrëveshje për fusnotë, Behgjet Pacolli ka heshtur dhe nuk ka dhënë asnjë koment. Këtë e arsyeton me faktin se çështja e fusnotës u menaxhua nga Kryeministri dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Nuk është punë e imja dhe nuk jam pjesë e asaj dhe nuk dua të jem pjesë e saj. Fusnota është trajtuar prej Kryeministrit dhe ai e di më mirë këtë proces. Kryeministri praktikisht e ka marrë përgjegjësinë për atë, bashkë me bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë ai.

“Mendoj se fusnota duket si problem, por në kohë të gjatë Kosova nuk do të humbë prej saj”, ka thënë Pacolli.

Zëvendëskryeministri i Parë ka konfirmuar se Serbia tashmë ka nisur fushatën diplomatike, duke e përdorur fusnotën kundër Kosovës.

Sipas tij, Serbia u ka dërguar letra të gjitha shteteve të botës dhe po kërkon prej tyre që të tërheqin njohjen apo të mos e njohin Kosovën.

Pacolli ka thënë se Beogradi po e keqpërdor Rezolutën 1244, duke thënë se Serbia e ka sovranitetin e plotë mbi Kosovën.

“Fusnota i ka edhe anët negative, por Kosova me këtë fusnotë do të marrë pjesë në të gjitha nismat rajonale. Qeveria ka plan që të mos e lejojë Serbinë ta keqpërdorë fusnotën dhe Rezolutën 1244”, ka shtuar ai.

Pacolli ka hedhur kritika edhe në drejtim të Parlamentit, duke thënë se organi më i lartë i shtetit nuk po u shërben qytetarëve.

“Shihni se çfarë debatesh po zhvillohen në Kuvend. Është e ulët kur një debat ka vetëm fyerje dhe s’ka asnjë iniciativë”, ka thënë ai.

Pacolli ka folur edhe për punën e Qeverisë, duke thënë se nuk ka pasur progres në ekonomi, ashtu siç është pritur.

“Nuk është faji i vetëm kësaj qeverie. Faji është i të gjithëve, edhe i pozitës, i opozitës, i shoqërisë civile. Askush nuk po merret me problemet e mëdha, krejt energjitë po harxhohen në diçka jo të rëndësishme”, ka deklaruar Pacolli.

Sipas tij, ligjet e miratuara në Parlament janë të disfavorshme dhe po i pengojnë investimet e huaja.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›