E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Duhet rikompozimi i delegacionit

(E plotësuar) Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë të hënën se delegacioni kosovar në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, nuk ka poseduar njohuri të mjaftueshme dhe për këtë ata që e kanë formuar duhet edhtë rikompozojnë këtë delegacion, duke mos përmendur emrin e kryenegociatores, Edita Tahiri.

Ai këto komente i bëri të hënë pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ku është vendosur që gjatë kësaj jave të mos ketë seancë, por në javën e ardhshme.

Kryekuvendari ka thënë se ndërprerja e bisedimeve nuk është zgjidhje, por sipas tij zgjidhja duhet të kërkohet në bisedimet, gjithnjë duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

“Unë e kam thënë publikisht, se ndërprerja e bisedimeve nuk është zgjidhja. Zgjidhja duhet të kërkohet në bisedime dhe nëse delegacioni nuk ka arritur të kryejë detyrat dhe përgjegjësit e veta që i ka me Kushtetutë dhe me ligje, natyrisht ata që e kanë formuar këtë delegacion duhet të mendojnë edhe për të ndërruar, me e dërguar një delegacion që i kryen përgjegjësitë e veta konform ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

I pyetur se a duhet të ndërrohet kryenegociatroja, Edita Tahiri, Krasniqi ka thënë se nuk ka folur për emra të përveçëm, por siç ka thënë ai, nëse delegacioni nuk i ka njohurit e mjaftueshme për të dialoguar, natyrisht që duhet të mendohet edhe ndërrimi.

“Unë nuk po insistoj, por po e them në këto bisedime delegacioni nuk ka poseduar njohuri të mjaftueshme dhe ata që e kanë formuar këtë delegacion duhet të mendojnë në rikompozimin e tij”, ka deklaruar ai.

Krasniqi sqaroi se për t’u shtruar kjo çështje në Kuvend, duhen nënshkrimet e 6 deputetëve. Por sipas tij, pa u respektuar procedurat që parashihen me rregullore të Kuvendit, nuk mund të shtrohet një pikë, ose një çështje në rend të ditës./Kosovapress/

Krasniqi kundër fusnotës, ekipin e dialogut e quan joprofesional

Kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, nuk pajtohet as me fusnotë e as me ekipin dialogues të Kosovës, gjithashtu ka folur edhe për vendimin e Beogradit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në Kosovë.

“Natyrisht se zgjedhjet e Serbisë nuk duhet të mbahen në Kosovë, por mendoj se duhet bërë më shumë, sidomos SHBA-ja dhe BE-ja duhet të jenë të vendosura t’ia bëjnë të qartë Serbisë se një gjë e tillë nuk do të lejohet. Zgjedhjet e tilla nuk mund të prodhojnë siguri e as stabilitet”, ka thënë Krasniqi, në një intervistë për të përditshme ‘Epoka e Re’.

Krasniqi ka thënë se në asnjë variant nuk është dashur të pranohet fusnota kështu si është pranuar, duke shtuar se po të kishte biseduar klasa politike në mes vete për këtë çështje do ta kishim një zgjidhje më të mirë.

Sa i përket ekipit dialogues të Kosovës, Krasniqi thotë se nuk i ka kapacitetet e mjaftueshme për ta udhëhequr këtë dialog.

“Kam pasur edhe rezervat e mia se në këtë dialog kemi hyrë të papërgatitur si duhet, po i planifikuar çështjet që dëshirojmë t’i bisedojmë. Në këtë dialog kemi dërguar ekip që ka treguar se nuk i ka njohur teknikat e dialogimit. Delegacioni i Kosovës duhet ta ndryshojë qasjen ose të ndryshohet i tëri”, ka thënë ai.

Duke folur për veriun, Krasniqi ka thënë se Pakoja gjithëpërfshirëse e Ahtisarit e arritur në bisedimet e Vjenës është dokument kompromisi. “Çdo dalje përtej kësaj pakoje rrezikon pakon në tërësi”, ka thënë ai.

Në këtë kontekst, ai u ka bërë thirrje liderëve politikë të kenë një komunikim ndryshe për veriun.

“Liderët politikë duhet ta vendosin një komunikim ndryshe e jo në të formën që e kemi pasur deri më tash. Mendoj se konsensusi që është arritur për kompromisin në pakon e Ahtisarit është limiti deri ku ka mundur të shkohet. Pakoja gjithëpërfshirëse e arritur në bisedimet e Vjenës është dokument kompromisi. Çdo dalje përtej kësaj pakoje rrezikon pakon në tërësi”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka kërkuar nga SHBA-ja dhe BE-ja t’ia bëjnë të qartë Serbisë se nuk mund të organizojnë zgjedhje në një territor të shtetit të huaj.

“Zgjedhjet e tilla nuk mund të prodhojnë siguri e as stabilitet”, ka thënë Krasniqi./Epoka e re/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›