Rrëzohet aeroplani, vdesin 19 persona

Një aeroplan i vogël dymotorësh është rrëzuar të premten në mëngjes afër kryeqytetit nepalez Katmandu, duke lënë 19 turistë të vedkur. Në mesin e tyre janë shtatë britanikë dhe pesë kinezë, thuhet në kumtesën e policisë nepaleze.
“Rënia e aeroplanit afër kryeqytetit ka shkaktuar vdekjen e 12 të huajve – shtatë turistëve britanikë dhe pesë kinezë. Shtatë viktimat tjera, në mesin e të cilëve janë edhe anëtarët e ekuipazhit, janë nepalezë”, deklaroi zëdhënësi i policisë, Binod Singh.
Në momentin e fatkeqësisë moti ishte i kthjellët, kështu që ende nuk dihen arsyet e rënies së aeroplanit.
Vjeshta paraqet kulmin e sezonit turistik në Nepal, ku ndodhen 14 majat më të larta malore në botë, në mesin e të cilave është edhe maja Maunt Everest.
Të dielën vdiqën të paktën 11 persona, si pasojë e një orteku që ndodhi në veriperëndim të Nepalit.