E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohet kandidatura e Mustafajt për KLD

Mungesa e votave në Këshill për të votuar kandidaturën e Ilir Mustafajt në postin e numrit dy të institucionit të drejtësisë, mesa duket ka detyruar kreun e shtetit të tërhiqet, duke mos e matur fare “forcën” me përfaqësuesit e pozitës qeverisëse. Këshilli ka dy muaj që nuk është mbledhur dhe konsiderohet se kandidatura e Mustafajt e ka humbur “efektin” e saj për t’u zgjedhur në këtë post.

Kjo për faktin se ka skaduar dhe afati brenda të cilit duhet të ishte kryer votimi. Anëtarë të KLD-së shprehen se afati për votimin e kandidaturës së Mustafajt ka përfunduar me datë 15 qershor, kur dhe është mbushur periudha 2-mujore brenda së cilës duhet të ishte zhvilluar dhe mbledhja. Sipas tyre kreu i shtetit, që është njëkohësisht dhe kryetar i Këshillit, nuk e ka kryer si duhet detyrën kushtetuese, sa i përket mbledhjes së KLD-së.

Ilir Mustafaj, i propozuar nga kreu i shtetit, Bamir Topi, për të qenë në postin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Data 15 qershor ishte dhe afati i fundit që kishte në dispozicion Presidenti për të mbledhur këshillin dhe votuar këtë kandidaturë.

Zgjedhja e Elvis Çefës si anëtar i KLD-së pas një gare me avokatin Ardian Visha shtoi “oreksin” e mazhorancës për ta emëruar dhe në postin e nënkryetarit të Këshillit. Pas përplasjeve në distancë ishte Presidenti Topi ai që tha se është e drejtë e tij të zgjedhë kandidatin për postin e nënkryetarit. Në një mbledhje maratonë dhe mes shumë debatesh, numri një i shtetit shqiptar, kandidoi gjykatësin Ilir Mustafaj, një kandidaturë mjaft e lartë profesionalisht, që vjen nga radhët e gjyqtarëve. Pala kundërshtare me në krye ministrin Halimi, i kërkoi Presidentit që nënkryetarin ta zgjidhte pasardhësi i tij, që me shumë gjasa kështu do të ndodhë.  /GSH/Start/

                                                                                             2012-06-18 08:15
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›