Rrëzohet kërkesa e prokurorisë, Florenc Hoxha mbetet në detyrë
Gjykata rrëzoi dje kërkesën e prokurorisë për të pezulluar nga detyra drejtorin e Policisë Bashkiake, sepse, sipas saj, nuk pengohen hetimet. Hoxha: Drejtësia iu përgjigj trillimeve
Masa e pezullimit nga detyra për Florenc Hoxhën, e kërkuar nga prokuroria, nuk u pranua dje nga Gjykata e Rrethit Tiranë. Kjo gjykatë përcaktoi se detyra që mban Hoxha, si drejtor i Policisë Bashkiake nuk pengon hetimet që po kryhen ndaj tij për dhunë të ushtruar ndaj dy ish-punonjëseve. Florenc Hoxha, menjëherë pas gjykimit, tha se kështu ishte vënë në vend drejtësia.
Për rreth një orë e gjysmë palët kanë argumentuar në sallën e gjyqit pro dhe kundër kërkesës së prokurorisë për të pezulluar nga detyra drejtorin e Policisë Bashkiake të Tiranës, Florenc Hoxha. Në seancë ka pasur ndërkohë debate të forta mes palëve lidhur me atë nëse Hoxha duhet të pezullohej nga detyra apo të vazhdonte ta ushtronte atë. Gjyqtarja e çështjes, Rrezarta Vigani, pasi dëgjoi argumentet, vendosi të rrëzonte kërkesën. Ajo tha se e hidhte poshtë kërkesën e bërë nga prokurori Albert Demirneli, për të caktuar një masë sigurie të pezullimit nga detyra për z.Hoxha. Gjyqtarja argumentoi se “prokuroria nuk kishte paraqitur elemente të mjaftueshme që të argumentonin se z.Hoxha mund të pengojë hetimet që po kryhen, nëse gjatë periudhës së hetimit gjendet në postin që mban”.
Ajo pranoi kërkesën e bërë nga avokati mbrojtës i z.Hoxha, Plator Bylykbashi, që të mos pranohej pezullimi nga detyra dhe që Hoxha të vazhdonte të drejtonte Policinë Bashkiake të kryeqytetit deri në fund të hetimeve. Florenc Hoxha, menjëherë pas vendimit të gjykatës, tha se “drejtësia iu përgjigj trillimeve, të cilat synonin ta pengonin në ushtrimin e detyrës”. Ai nuk ka pranuar të komentojë më gjatë as ngjarjen dhe as akuzat, të cilat duket se i cilëson të stisura. Kërkesa nga ana e Prokurorisë së Tiranës, që u shqyrtua në gjykatë, ka ardhur pas padisë së dy inspektoreve të bashkisë. Akuza e tyre ndaj Hoxhës është për goditje, fyerje dhe kanosje për moskallëzim.
Prokuroria njoftoi se kjo masë u kërkua për shkak se çështja për të cilën po hetohet Hoxha është “për shkak të detyrës”. Pak ditë më parë, Prokuroria e Tiranës filloi verifikimet mbi materialet kallëzuese të mbërritura në këtë institucion për incidentet e ndodhura në Bashkinë e Tiranës, nga përplasjet fizike mes kreut të Policisë Bashkiake dhe dy inspektoreve. Largimet nga puna në Bashkinë e Tiranës kanë shkaktuar dy javë më parë përplasje mes dy punonjëseve të Tatim-Taksave dhe Policisë Bashkiake. Ish-punonjëset e Tatim-Taksave, Anila Çobani dhe Etleva Dura, akuzojnë kryepolicin bashkiak se ka ushtruar dhunë fizike ndaj tyre, duke kërkuar t’i nxjerrë jashtë nga zyra. Për këtë arsye, dy inspektoret kanë ngritur padi ndaj drejtorit të Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, për ushtrim dhune fizike ndaj tyre. Ato janë përballur me të njëjtën akuzë në Prokurori, pasi edhe Policia Bashkiake konfirmon se ka kallëzuar penalisht dy ish-punonjëset, Dura dhe Çobani, për dhunë fizike dhe verbale.