Obama, paketë ndihme për familjet punëtore
Kabineti "Obama", po vepron me shpejtësi për të frenuar problemet e mëdha ekonomike, të shfa-qura së fundmi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një nga këshilltarët kryesorë të Presidentit të zgjedhur Barak Obama, është shprehur se administrata e re amerikane do të marrë masa të menjëhershme për trajtimin e problemeve ekonomike, si dhe me çështje të sigurisë kombëtare, me të cilat ndeshet vendi. Xhon Podesta, që kryeson ekipin e tranzicionit të zotit Obama, tha në një intervistë për rrjetin televiziv "Fox News", se për presidentin e zgjedhur ka rëndësi të veçantë zbatimi sa më shpejt i planit të stimujve ekonomikë. Por ai shtoi se është e nevojshme, që Presidenti Bush të ndihmojë me ecurinë e këtij plani. Bush dhe Presidenti i sapozgjedhur Obama kanë në plan të takohen sot, për të diskutuar për transferimin e pushtetit. Në fjalimin e përjavshëm në radio, që mbajti në emër të demokratëve, zoti Obama tha se vendi nuk ka kohë për të humbur dhe se administrata e tij do të fillojë menjëherë pas betimit përpjekjet për rimëkëmbjen e ekonomisë amerikane. Obama premtoi se do të marrë masa të menjëhershme për zbatimin e një plani për t'i ardhur në ndihmë familjeve punëtore.
Kjo është arsyeja pse Barak Obama po vepron me shpejtësi për të emëruar poste me rëndësi në administratën e tij dhe për të hartuar përgjigjen e administratës së tij ndaj krizës ekonomike. Analistët politikë thonë, se tranzicioni politik kësaj here ka një rëndësi të veçantë për arsye të krizës ekonomike në vend, si dhe luftërave në Irak dhe Afganistan. Pas takimit të djeshëm me Bordin e sapokrijuar Këshillues të Tranzicionit Ekonomik, Obama tha qartë se ekonomia do të jetë prioriteti kryesor i administratës së tij. "Menjëherë pasi të bëhem president unë do të merrem me krizën ekonomike dhe do të marr të gjitha hapat e duhur për të lehtësuar krizën me dhënien e kredive, për të ndihmuar familjet punëtore dhe për të sjellë përsëri rritje ekonomike dhe prosperitet në vend". Por, Obama po kështu theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë vetëm një president dhe administrata e presidentit Bush do të drejtojë vendin deri më 20 janar 2009, ditë kjo kur zoti Obama do të bëjë betimin si president i Shteteve të Bashkuara. Presidenti i ardhshëm Obama, la të kuptohet se ai ka ndërmend të veprojë me shpejtësi gjatë periudhës se tranzicionit. Për këtë arsye vetëm pak ditë pas zgjedhjeve ai emëroi kongresistin amerikan Rahm Emanuel si Shefin e tij të Kabinetit. Leon Paneta, i cili ka mbajtur postin e Shefit të Kabinetit në administratën e presidentit Klinton thotë, se emërimet e ardhshme të zotit Obama duhet të përqendrohen tek ekonomia. "Shpresojmë që emërimi i ekipit ekonomik do të jetë hapi i ardhshëm i zotit Obama, pasi kjo ka shumë rëndësi. Kjo është një situatë pa precedent, ku presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara do të përballet jo vetëm me ekonominë në krizë, por edhe me planin prej 700 miliardë dollarësh për të nxjerrë financat nga kriza. Kjo e detyron presidentin të merret si me bankat edhe me sistemin e kredisë në të njëjtën kohë". Paneta thotë se pasi të zgjedhë ekipin ekonomik, zoti Obama duhet të merret me emërimet për postet që lidhen me sigurinë kombëtare, duke marrë parasysh luftërat në Irak dhe Afganistan. Ish-zyrtari Paneta po kështu, thekson se është shumë e rëndësishme që presidenti i ardhshëm të përmirësojë marrëdhëniet me botën.
Sot Obama do të takohet me presidentin Bush për të diskutuar transferimin e pushtetit. Në të kaluarën asnjë president i zgjedhur nuk ka vizituar Shtëpinë e Bardhë kaq shpejt pas zgjedhjeve.
(Zëri i Amerikës)