Rrëzohet mbuloja e stadiumit

Një pjesë e mbulojës së stadiumit të klubit të futbollit holandez Tvente në Enshede të Holandës është shembur dhe një numër i njerëzve ka mbetur i ngujuar nën gërmadha, njoftoi të enjten policia holandeze.
Sipas informacioneve të para, ka humbur jetën një person dhe të paktën 12 të tjerë janë lënduar.
Policia njoftoi se incidenti ka ndodhur rreth mesditës, por nuk ka dashur të konfirmojë numrin e viktimave. Mendohet se në gërmadha kanë mbetur punëtorët që kanë punuar në rekonstruktimin e stadiumit.
Në vendin e ngjarjes menjëherë ka dalë helikopteri i policisë, 20 autoambulanca dhe dhjetë patrulla të zjarrfikësve.
Dëshmitarët thonë se arsye e shembjes së mbulojës janë shtyllat e paqëndrueshme, ndërkohë që menaxhmenti i Tventes nuk ka dashur të japë deklarata për media.
Stadiumi ishte duke u rinovuar para nisjes së sezonit të ardhshëm.