E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohet me izë të Ministrisë së Kulturës

Premtimet se ish – Hotel “Union” do të qëndrojë në këmbë tashmë janë rrënuar. Së paku kështu shihet nga terreni. Pothuajse e gjithë ndërtesa e cila u dogj muaj më parë tashmë është rrënuar në pjesën më të madhe të saj duke lënë si trashëgimi vetëm disa grimca të ndërtesës së dikurshme.

Hotel Union, dikur i njohur si Hotel Skënderbeu, i ka takuar njërës prej ndërtesave të pakta arkitektonike që ka prezantuar një pjesë të kulturës së Prishtinës së dikurshme.

Muaj më parë Ministri i Kulturës së Kosovës, Valton Beqiri, jo vetëm që pati dalë një javë pas djegies në vend të ngjarjes, por pati thënë fjalë të mëdha se objekti do të ruhet.

Burbuqe Deva – Bakija, Drejtuese e Departamentit për Trashëgimi Kulturore, thotë se rrënimi i murit të fasadës së objektit të Hotel “Union” është realizuar me “izën” e Ministrisë së Kulturës. Ndërsa arsyetimi që ka bërë kompania është ky: “Kemi pasur një kërkesë që ka pasur dëmtime të mëdha dhe qarje të murit kryesor, të fasadës kryesore të Hotel “Union”. Në bazë të kërkesës, Ministria e Kulturës ka krijuar një komision të punës ku ka qit urdhra që të bëhet verifikimi i gjendjes”, thotë Deva.

Sipas Devës, komisioni i MK-së, fillimisht ka vendosur që të themelohet një këshill i ekspertëve të fushave të ndryshme, si të statikës dhe arkitekturës, që të bëjnë verifikimin e murit nëse është në gjendje që ky mur të vazhdojë të mbajë këtë objekt apo jo.

Por grupi i ekspertëve është formuar nga vet kompania dhe jo me një grup të përzier mes kompanisë dhe MK-së.

“Në këtë rast kompania ka krijuar një grup të ekspertëve prej 3 personave të statikës së objektit, konstruksionit si dhe të arkitekturës, të cilët pas verifikimit në terren kanë vërtetuar se në muret e fasadës kryesore të Hotel Union ka pasur dëmtime shume të mëdha dhe qarje të mëdha me ç’rast është bërë shkëputja dhe fundosja e murit për 20 deri në 30 centimetra”, shpjegon Deva – Bakija.

Sipas saj, bazuar në këtë vlerësim të komisionit të ekspertëve, Ministria e Kulturës prapë ka krijuar grupin punues të cilët janë marrë me çështjen e Unionit. Bazuar në këtë vendim të ekspertëve të vet kompanisë është dhënë propozim që të bëhet projekt-propozimi që ky mur të rrënohet pasi nuk ka mundësi dhe është i rrezikshëm të mbahet dhe të bëhet projekti për konstruktimin e murit të ri në bazë të kritereve dhe gjendjes ekzistuese si ka qenë. “Kompania në fjalë ka punuar projektin me tri propozime të konstruksioneve dhe komisioni ka zgjedhur një propozim kështu që është marrë leja që të rrëzohet ky mur”, u shpreh Deva. Deva i ka thënë Express-it se kompania, pronë e së cilës është Hotel Union, duhet t’i përmbahet projektit dhe të mos ndryshojë asgjë nga gjendja e mëparshme.

“Komplet objekti do ta ketë formën e njëjtë dhe dimensionet e njëjta”, tha Deva – Bakija për Express. Haxhi Mehmetaj, drejtues i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Prishtinës, thotë se pretendimet se kinse objekti është rrëzuar nga ujërat nuk qëndron por se Hotel Union është rrëzuar me qëllim.

“Mendoj se rrëzimi është shumë i qëllimshëm. Mendoj se u shkatërrua njëri prej objekteve më të rëndësishme të Prishtinës”, tha Mehmetaj për Express.

Mehmetaj madje thotë se nuk e di se ku pronari i objektit “QMI”, ka marrë leje për restaurimin e këtij objekti. “Me një fjalë mënyra se si është punuar mua më duket e paligjshme”, tha Mehmetaj, duke shtuar se nuk e di nëse pronarët të kenë marrë leje nga MK apo nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës për rinovimin e objektit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›