Obama kundër Obamës

Dick Cheney pati deklaruar se presidenti Obama “po bën përpjekje që të shtiret se ne nuk jemi në luftë” kundër terrorizmit. Thuajuni këtë terroristëve. Në bazë të të dhënave, të hartuara nga Peter Bergen dhe Katherine Tiedeman për Fondacionin e ri Amerikan, administrata e Obamës, për më pak se një vit në pushtet, ka ndërmarrë më shumë se 50 sulme me Predator kundër shënjestrave terroriste. Është ky një numër më i madh i sulmeve, sesa që ka ndërmarrë George Bushi gjatë gjithë presidencës së tij. Në të njëjtën kohë, liberalët e akuzojnë Obamën se ka tradhtuar idealet e tij dhe premtimin e tij për zbatimin e sundimit të ligjit. Që të dy këto akuza janë të gabuara.
Qasja e Obamës ndaj terrorizmit është në përputhje me atë që kemi mësuar për presidentin gjatë vitit të tij të parë në pushtet. Ai është realist dhe njeri që bën kompromise, një njëri që kërkon shtegun e mesëm, se nuk është një ideolog liberal. Qasja e tij vlerësohet lart nga pjesa më e madhe e profesionistëve në fushën e antiterrorizmit, të cilët kuptojnë se politika më efektive është në të shumtën e rasteve ajo, e cila nuk mund të gëlltitet lehtë. Megjithatë, Obama në disa fusha ka ngecur, pasi që ka lejuar që politika apo qasja legaliste të dëmtojnë ndjenjën e përbashkët për siguri publike.
Në disa raste, në vend se të mbështetet në ligjet aktuale, ai duhet të punojë me zell më të madh që t’i ndryshojë ato.
Megjithatë, Obama është angazhuar që të mbajë të hapura opsionet e tij në luftën kundër terrorizmit.
Politikat e tij antiterroriste janë në thelb politikat e Bushit gjatë mandatit të tij të dytë si president. Metodat brutale të marrjes në pyetje nuk janë shfrytëzuar që nga viti 2005. Obama formalisht ndaloi jo vetëm torturën, por edhe të gjitha format e tjera të zhvatjes gjatë metodave të marrjes në pyetje.
Por avokatët kanë theksuar se ai këtë e ka bërë me urdhër ekzekutiv, e jo me ligj të miratuar nga ana e Kongresit, gjë që do të thotë se ai ka mundësi të ndërrojë mendjen, pa marrë fillimisht pëlqimin e ligjvënësve të zgjedhur.
Në shumë aspekte, Obama ka qeverisur sigurinë kombëtare nga pjesa e djathtë e qendrës. Siç ka theksuar Peter Baker në New York Times, ai u ka thënë urdhërmarrësve të tij që t’i vënë CIA-s në dispozicion të gjitha burimet e nevojshme. Por faktori vendimtar është efektiviteti, e jo ideologjia- dhe ai është i hapur që të ndryshojë politikat të cilat nuk funksionojnë. Edhe përkundër faktit se Obama ka theksuar se do ta mbyllë brenda një viti burgun në Guantanamo, ai nuk i është përmbajtur këtij afati.
Kjo nuk do të thotë se presidenti ka bërë llogari të gabuar. Për të sinjalizuar fillimin e një epoke të re, menjëherë pas inaugurimit të tij, Obama urdhëroi që mos të rezistohet kërkesa e ACLU-së për të bërë publike dokumentet e CIA-s, në të cilat detajizohen metodat e torturës, të shfrytëzuara ndaj agjentëve të arrestuar të Al Qaidës.
Ai gjithashtu mbështeti edhe vendimin e prokurorit të përgjithshëm, Holder, për të hetuar zyrtarët e inteligjencës të përfshirë në programin e marrjes në pyetje të personave të dyshimtë, pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001. Duke e bërë këtë, ai injoroi vërejtjet e drejtorit në largim të CIA-s, Michael Hayden, se po rrezikon të minojë seriozisht moralin në radhët e komunitetit të inteligjencës. Me moralin e CIA-s nuk mund të luhet. Zyrtarët e inteligjencës nuk janë të gatshëm të marrin përsipër rrezikun, nëse janë të mendimit se ata duhet të bartin përgjegjësinë, nëse gjërat nuk rrjedhin si duhet.
Në momentin kur Obama po mbështet operacionet e fshehta nga Afganistani, e deri në Jemen, ai ka nevojë për rreshtimin e komunitetit të inteligjencës prapa tij- për të lëvizur përpara, e jo për të shikuar prapa supeve të këtij komuniteti.
Ai nuk ka shfuqizuar as sistemin e komisioneve ushtarake, të formuara nga Bushi, për të gjykuar terroristët. Në vend të kësaj, ai ka luajtur me rregullore, të cilat e bëjnë më të vështirë paraqitjen e dëshmive, të siguruara me zhvatje. Por ligjshmëria e këtyre komisioneve dhe aftësia e qeverisë për të mbajtur deri në pafundësi personat e dyshuar nën arrest, tani po sfidohen nga një gjykatë e rregullt federative. Obama kishte premtuar se do të kërkojë ligje, të cilat përcaktojnë se si dhe për sa kohë mund të mbahen të dyshuarit nën arrest- por ai është zmbrapsur për shkak të trysnisë së ushtruar nga liberalët, të cilët kundërshtojnë shndërrimin e arrestimit preventiv në ligj.
Obama ndoshta do të pendohet për shkak të këtij qëndrimi të kujdesshëm. Pas arrestimit të Umar Farouk Abdulmutallabit, personit që tentoi të hedhë aeroplanin në ajër në Detroit, atij pas 30 orëve iu garantua avokati dhe ai nuk foli më. Ka nevojë për një sistem, i cili lejon marrjen në pyetje të personave të dyshuar për terrorizëm, të arrestuar brenda territorit të SHBA-së, për një periudhë të caktuar kohore- të themi dy javë- para se ai t’i dorëzohet sistemit të drejtësisë. Para se të heshtë, Abdulmutallab ka mundur t’i ofrojë CIA-s informata për terroristë të tjerë apo për komplote të tjera terroriste.
Konservatorët, të cilët kanë theksuar se Abdulmutallab është dashur të trajtohet si luftëtar armik dhe të gjykohet para një gjykate ushtarake, kanë injoruar një pikë të rëndësishme. Sipas sistemit ekzistues të komisioneve ushtarake, të burgosurit kanë të drejtë për avokat, sikur edhe të dyshuarit e thjeshtë për kriminalitet. Pra, ai do të kishte heshtur edhe në këtë rast. Ajo që nevojitet, është një sistem, i cili do të trajtojë tërë çështjen e vështirë të arrestit parandalues.
Dikush në Kongres apo në administratë duhet të gjejë një zgjidhje për të akomoduar nevojat e tubimit të informatave dhe të sundimit të ligjit. Obama, si profesor i drejtësisë, me gjasë mund të shkruajë vetë një ligj të tillë.