E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stuhitë e luftës

Libri më titull “Stuhi lufte mbi Kosovë” i autorit Jusuf Zejnullahu, ish kryetar i qeverisë së Kosovës në vitet 1989-1990, përfshin kujtime, refleksione dhe analiza të autorit për ngjarjet në Kosovë në periudhën 1980–1999. Në mënyrë të veçantë përshkruhen nga autori raportet në vite midis Kosovës dhe Jugosllavisë dhe më pas Serbisë me statusin e saj si Krahinë Autonome dhe jepen të dhëna mjaft të rëndësishme për gjendjen sociale, ekonominë, popullsinë, arsimin, etj. Të rëndësishme janë shënimet e autorit për marrëdhëniet me Serbinë në prag të luftës, institucionet e saj, takimet e krerëve kosovarë me Millosheviqin, dhunën dhe vrasjet e ushtrisë dhe policisë serbe, por, mbi të gjitha për revoltën dhe kundërshtimet e masave popullore në Kosovë.

Lexuesi do të njihet për herë të parë nga njëri prej drejtuesve kryesorë të Qeverisë së Kosovës në vitet e paraluftës edhe për marrëdhëniet midis figurave më të njohura të politikës shqiptare para dhe në prag të luftës në Kosovë, por edhe me raportet me disa prej emrave më të njohur të politikës, administratës dhe ushtarakëve jugosllavë apo serbë të kësaj periudhe dhe qëndrimet e tyre ndaj çështjes shqiptare.

Për herë të parë në kujtimet e bashkëkohësve do të jepen edhe refleksione për qëndrimet e organeve të ndryshme të medias në Kosovë e jashtë saj, si dhe me udhëheqësit e institucioneve fetare në Kosovë.

Libri “Stuhi lufte mbi Kosovë”, i shkruar 17 vjet pas gjenocidit kundër shqiptarëve të Kosovës dhe pas përfundimit të luftës, i parë ftohtë, larg në kohë dhe pa qëndrime emotive nga ana e autorit, padyshim që do të ngjallë interes për lexuesin shqiptar kudo
që ndodhet, por edhe refleksione, reagime dhe kundërshti, siç ndodh rëndom me libra të tillë që trazojnë memorien e popujve.

“Libri Stuhi lufte mbi Kosovë është rezultat i kërkesave të shumta që të dihet më shumë për ngjarjet, të cilat i paraprijnë shpalljes së Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik 1990 dhe shpalljes së Republikës së Kosovës më 7 shtator 1990. Dekada që përfshin vitet ’80-’90, të shekullit të kaluar, ishte përplot ngjarje, shumë prej të cilave nuk e anashkaluan edhe Kosovën. Ndër to, më të theksuarat ishin ato në mbarim të asaj dekade”, është shprehur autori në parathënie të librit.

Zejnullahu po ashtu sqaron në parathënie arsyet e botimit të këtij libri. “M’u forcua bindja se opinioni kosovar ka të drejtë të dijë më shumë për ato kohëra dhe për ato ngjarje, sepse ato nuk kanë ndodhur spontanisht, por në to ka qenë i përfshirë i tërë populli me përjetime dhe sakrifica të rënda. Si të tilla, ato janë pronë e të gjithëve e jo
vetëm e individëve në pozita të ndryshme shtetërore apo politike”, ka shkruar ai.

Jusuf Zejnullahu u lind më 1944 në Svirce të Medvegjës. Më 1968 diplomohet në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë dhe më 1971 përfundon studimet pasuniversitare në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Zagrebit. Punën e filloi në Ministrinë e Ekonomisë së Kosovës në Drejtorinë e Komunikacionit dhe Lidhjeve, për të vazhduar në detyrën e Këshilltarit për ekonomi në Kuvendin e Kosovës, Drejtor i Entit për Zhvillimin Ekonomik të Prishtinës, Nënkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Drejtor-Gjeneral i Kombinatit Metalurgjik “Ferronikel”, Nënkryetar i Odës Ekonomike të Jugosllavisë me detyrë të koordinimit të politikës monetare dhe sistemit bankar.

Në vitin 1989 u zgjodh Kryetar i Qeverisë së Kosovës. Më 1990, bashkë me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, u largua me anë të grushtshtetit të Serbisë dhe u detyrua të lërë vendin.

Ky është libri i tij i parë dhe është botuar nga shtëpia botuese “Toena”. Ai është duke shkruar edhe dy të tjerë: “Rruga e Mërgimit” dhe “Historia e ekonomisë së Kosovës”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›