E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnje, era shkatërron serrat e fermerëve

Dëme të mëdha në bujqësinë e Myzeqesë. Rrezik në qytet për shkak të depozitave në tarracat e pallateve

LUSHNJE- Erërat dhe reshjet e shirave gjatë orëve të para të ditës së djeshme kanë shkaktuar probleme të shumta dhe dëme në të mbjellat bujqësore në Lushnje. Fermerët janë vënë në alarm kur në mesnatë ka filluar të fryjë erë e fortë, e cila ka rrezikuar serat e mbjella me prodhimet e stinës. Më shumë janë venë në shqetësim ata fermerë që kanë pasur sera të mbjella me fidanë domate dhe perime të tjera, për të cilat kanë bërë investime të konsiderueshme. Shpejtësia e erës, thonë fermerët, ishte shumë e madhe dhe ka shkatërruar një pjesë të madhe të serrave. Shqetësimi është më i ndjeshëm në komunën e Bubullimës, Kolonjë, Gradishtë ku disa fermerë ankohen se dëmi i shkaktuar nga era ka qenë edhe me i dukshëm. “Kam mbjellë pak perime në serë, sepse aq e kam fuqinë ekonomike, por për dreq era që fryu mbrëmë e rrëzoi në tokë mbrojtësen dhe e ardhmja e prodhimit nuk dihet. Prisnim të binte shi sepse ai a duhej, ndodhi ajo që ne nuk e dëshironim, era na mori në qafë dhe na çoi dëm punën e kryer për disa muaj ”, thotë L. Koçi nga komuna e Bubullimës. Në disa komuna janë ngritur dhe grupe pune për të parë nga afër dëmet e shkaktuara, duke evidentuar në ketë mënyrë pasojat në të mbjella. Fermerët e kanë të vështirë të ringrenë ekonominë e tyre, pas një rrënimi për shkak të kushteve natyrore dhe u duhet shume kohë t’i kthehen normalitetit në punët e ditës në bujqësi. Inspektori i emergjencave civile në Bashkinë e Lushnjes, Loni Boçi, thotë se në qytet banorët janë rrezikuar nga depozitat e ujit, të cilat janë mbi tarracat e pallateve dhe shumë pranë rrëzimit të tyre në tokë. Më të goditura nga era e fortë kanë qenë shtëpitë e banimit të rrethuar apo mbuluar me llamarinë. Era e fortë i ka shqyer llamarinat duke i nxjerrë njerëzit në qiell të hapur. Janë disa familje, të cilave bashkia së afërmi do t’iu garantojë strehim duke i dhënë shtëpi me qira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›