Rrihte të atin, prangoset 35-vjeçari
Rrihte babanë, arrestohet djali. Burime nga Policia e Kukësit bëjnë të ditur se 35-vjeçari Gazmend Manaj, nga Kukësi, është vënë në prangat e policisë sepse dhunonte fizikisht të atin në mënyrë të përsëritur. Mësohet se i riu Manaj, banor i lagjes nr.5 në Kukës është arrestuar dje në orët e para të mëngjesit, pasi ndaj tij ishte bërë kallëzim penal nga i ati, Xh.Manaj, 69 vjeç. Mësohet se 35-vjeçari përdorte dhunë ndaj të atit në mënyrë sistematike, aq sa ai ishte detyruar të kërkonte ndihmën e policisë. Vetëm dy muaj më parë, 69-vjeçari kishte denoncuar dhunën që ushtronte i biri dhe kishte kërkuar nga Policia e Shtetit që të merrej në mbrojtje. Sipas një kërkesëpadie të ngritur dy muaj më parë, gjykata e rrethit kishte vendosur ta shpallte person në mbrojtje, duke e dënuar me kusht të birin, në mënyrë që ky të mos ushtronte më dhunë ndaj tij. Por i riu nuk është ndalur dhe nga kufizimet ligjore që i ishin vënë. Plaku Manaj ka raportuar dhunën e radhës dhe për këtë shkak, policia e ka ndaluar të birin dje në orët e mëngjesit. Mësohet se ndalimi i djalit agresor është bërë në banesën e tij. I arrestuari është i papunë dhe njihet për jetën e tij, kryesisht të shthurur. Gjatë kësaj vere katër persona kanë kërkuar mbrojtjen e policisë në Kukës, tre nga të cilët gra që dhunoheshin nga bashkëshortët në mënyrë sistematike.