Rrokullisja e një shkëmbi tmerron "Mangalemin"
Një shkëmb me madhësi sa gjysma e një veture është shkëputur nga lartësia e kalasë së Beratit dhe është rrokullisur mes përmes lagjes "Mangalem" dje në mbrëmje. Për fat të mirë, shkëmbi nuk ka shkaktuar asnjë dëm në njerëz, por vetëm disa dëme materiale. Ngjarja ka shkaktuar panik mes banorëve të lagjes së vjetër të Beratit. Ata kanë braktisur shtëpitë nga frika se mos nga mali do të shkëputeshin gurë të tjerë. Banorë të lagjes thanë se guri i madh u pa të rrokullisej nëpër lagje rreth orës 21:15, duke përshkuar disa oborre shtëpish për t‘u përplasur më pas mbi një makinë në rrugë. Dje ka qenë e vështirë të bëhen përllogaritje të dëmeve, pasi pronarët e shtëpive që janë dëmtuar pjesërisht nga rrëzimi i shkëmbit janë larguar menjëherë pa pasur kohë të bëjnë bilance. Megjithatë mësohet se në pjesën e sipërme të lagjes, ku shkëmbi ka kaluar fluturimthi, ka pasur dëmtim të çative të shtëpive, ndërsa më poshtë ka shkatërruar mure, ndërsa në fund, aty ku ka ndalur hovin, ka ndarë më dysh një makinë, që fatmirësisht sapo ishte braktisur nga shoferi i saj. Policia e Beratit ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, bashkë me forcat zjarrfikëse dhe zyrtarët e institucioneve vendore. Pasi ka bërë evakuimin e zonës ku ekziston ende rreziku i rënies së gurëve, policia ka rrethuar zonën, ndërkohë që Bashkia e Beratit dhe institucione të tjera vendore kanë nisur organizimin e punës për të gjetur një zgjidhje për shmangien e rrezikut. Mësohet se është kërkuar menjëherë ndihma e specialistëve gjeologë, por puna e tyre për vlerësimin e rrezikut do të bëhet vetëm sot, për shkak të errësirës. Guri i madh është shkëputur nga një pjesë poshtë tabjes së kalasë, rreth 30 metra mbi lagjen "Mangalem". Në këtë vend, deri në vitin 2004 qëndronte si kërcënim një shkëmb i madh që u thërrmua, por zona është ende e rrezikshme për shkak të përbërjes gëlqerore të shkëmbinjve. Kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, tha se shkak i rënies së shkëmbit është bërë kalimi në këtë zonë i automjeteve të tonazhit të rëndë. Për këtë arsye ai mendon se duhet të ndërtohet sa më shpejt unaza e re e qytetit. Sot pritet që në Berat të mblidhet Shtabi i Emergjencave Civile, për të caktuar masat për shmangien e rrezikut në zonë.