Konflikti për pronat, plagosen dy persona
Konflikti për pronat për pak u ka marrë jetën dy personave, ndërkohë që në prangat e policisë kanë rënë pesë veta. Një sherr i nisur për një vijë uji në fshatin Kalis të Rrethit të Kukësit ka përfunduar me plagosjen e rëndë të një 42-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur në mbrëmjen e së martës, kur mes vëllezërve Ismen dhe Arian Cena, si dhe kushëririt të tyre, Hamdi Cena, ka plasur grindja për radhën e përdorimit të ujit për vaditje. Mësohet se në grindje e sipër, është goditur në kokë me shat, Ismen Cena, i cili është në gjendje të rëndë për jetën. Burime nga Policia e Qarkut të Kukësit thonë se 42-vjeçari është goditur aksidentalisht nga i vëllai më i vogël, Ariani, i cili ka dashur të godasë kushëririn, Hamdi Cena, 59 veç, por kur ky është shmangur, goditja e shatit ka rënë mbi vëllain. Policia bën të ditur gjithashtu se për këtë ngjarje është ngritur një grup hetimor dhe është sekuestruar shati si provë materiale. Autori është ndaluar me akuzën "dëmtim të personit me dashje", ndërsa i lënduari është dërguar për në Spitalin Ushtarak të Tiranës dhe po mbahet nën mbikëqyrje të specializuar mjekësore. Ngjarjet e rënda në zonat rurale për ujin vaditës apo për prona nuk janë të rralla. Mëngjesin e së mërkurës, një tjetër plagosje është shënuar në fshatin Shkinak të Komunës Grykë e Çajës të Kukësit. Për çështje pronësie tre vëllezër kanë plagosur rëndë një bashkëfshatarin e tyre me një vegël prerëse, duke i rrezikuar seriozisht jetën. Burime zyrtare të Policisë së Kukësit bëjnë me dije se vëllezërit Admir, Lavdërim dhe Fatmir Krruçi nga fshati Shkinak kanë goditur me mjetin bujqësor gjatë një sherri 22-vjeçarin Hekuran Bici nga i njëjti fshat. Viktima ka marrë një plagë të rëndë në qafë dhe i riu është transportuar me një helikopter drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, për të marrë ndihmë më të specializuar. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 09:30 të mëngjesit në fshatin Shkinak. Menjëherë për në vendngjarje kanë udhëtuar dy makina të policisë, për të marrë në dorë situatën e cila mund të precipitonte në gjakderdhje, si dhe për të ndaluar dhe shoqëruar për në komisariat tre vëllezërit agresorë.