Rrini me ne
Presidentja Atifete Jahjaga ka shkuar edhe një hap përpara në nismën e saj për themelimin edhe një mekanizmi shtesë për luftimin e korrupsionit në Kosovë.
Ajo e ka fuqizuar idenë për themelimin e Këshillit Antikorrupsion gjatë vizitës që ka pasur me zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pasi ka marrë përkrahjen nga Sekretarja Amerikane, Hillary Clinton, Jahjaga ka thënë se posa të kthehet, do të nisë hapat konkretë në luftën antikorrupsion.
Megjithëse në 30 kompetencat e Presidentit në Kushtetutë nuk përmenden funksione shtesë për të luftuar korrupsionin, Presidentja Jahjaga ka thënë se nisma e saj është e mbështetur në kompetencat e saj ligjore dhe kushtetuese.
“Në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese, unë do të formoj Këshillin Koordinues Antikorrupsion që nëpërmjet harmonizimit të politikave, koordinimit me institucione si dhe me inkuadrimin e shoqërisë civile, do të mobilizohemi dhe do të organizohemi në mënyrë më të fuqishme që të luftojmë dukurinë e krimit të organizuar dhe të korrupsionit”, ka thënë Presidentja për Zërin e Amerikës.
“Mora një përkrahje të fuqishme dhe më është ofruar ndihmë konkrete si t’i fuqizojmë më shumë kapacitete tona, në mënyrë që të kemi një luftë më të suksesshme ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka treguar Presidentja.
Atifete Jahjaga gjatë ditës së shtunë është takuar me Shefin e FBI’së, Robert Mueller dhe me Nënsekretaren Amerikane të Mbrojtjes, Michele Flournoy
“Presidentja Jahjaga tha se prania ushtarake amerikane në Kosovë dhe kampi ushtarak amerikan Bondsteel është garantues për stabilitetin në rajon dhe ka ndihmuar në vendosjen e një marrëdhënieje të fuqishme ndërmjet qytetarëve dhe ushtarëve”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Ajo tha se e mirëpret vazhdimin e pranisë ushtarake amerikane në Kosovë, si thelbësore për gjithë stabilitetin në Europë.
“Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka për synim anëtarësimin në Partneritetin për Paqe dhe në Aleancën Veri-Atlantike, NATO dhe ndihma e SHBA-së në këtë proces do të ishte kruciale”.
Presidenca ka përcjellë edhe qëndrimin e zyrtarëve amerikanë që janë takuar me Jahjagën.
“Nënsekretarja e Mbrojtjes e SHBA’së u interesua në veçanti për situatën e sigurisë në Kosovë dhe për gjendjen në veri të vendit. Ajo e konfirmoi përkushtimin e SHBA’së për paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe në rajon”, thuhet në njoftim.
Sipas kabinetit të Presidentes, Atifete Jahjaga gjatë ditës është takuar edhe me ish-Sekretaren Madelene Albraight, me dy senatorët, Mark Kirk dhe Ross Johnson, si dhe me Ambasadoren për Çështje të Femrave, Melanne Verveer.
“Në takim u bisedua për vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kosovën, në veçanti përmes pranisë ushtarake, thuhet në njoftimin e Presidentes.