Beteja për trashëgimi

Marrëveshja mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vend, ka nxitur reagimin e Serbisë.
Jasna Zrnovic, Sekretare e Përgjithshme e Komisionit Nacional të Serbisë për bashkëpunim me UNESKO’n ka thënë se shteti i saj nuk do të lejojë që trashëgimia kulturore serbe të “kosovarizohet”.
Zrnovic ka thënë se Serbia nuk ka mundur të parandalojë një marrëveshje të tillë për faktin se ajo është “bilaterale”.
Por sipas saj, marrëveshja nuk ka efekt juridik, pasi Kosova nuk është shtet.
“Kjo marrëveshje juridikisht nuk është relevante. Aktualisht nuk është e mundur të jepet një mendim konkret për tekstin, sepse nuk e kemi atë. Është me rëndësi të thuhet se Serbia nuk ka mundur ta parandalojë atë pasi kjo është marrëveshje bilaterale”, ka thënë Zrnovic.
“Do të luftojmë që të parandalojmë çdo përpjekje që të mos kosovarizohet trashëgimia serbe në Kosovë dhe Metohi.
Është totalisht e papranueshme që dikush ta prezantojë Graçanicën, Deçanin apo Patriarkanën e Pejës si trashëgimi kulturore kosovare.
Ky është sulm direkt në identitetin serb dhe kështu përbën shkelje të drejtave të njeriut, të drejtat e të gjithë serbëve kudo që ndodhen ata”, ka shtuar ajo.
Kjo zyrtare serbe më pas ka prezantuar të dhëna për trashëgiminë kulturore, e cila, sipas saj, është pronë e Kishës Ortodokse Serbe.
“Dihet se në të gjithë territorin e Kosovës dhe Metohisë, Kisha Ortodokse Serbe është pronare e resurseve dhe objekteve me 654.071 hektarë tokë për çka posedon edhe certifikata kadastrale dhe tapi, të cilat pavarësisht përpjekjeve, nuk mund të kontestohen”.
Zrnovic ka kritikuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për marrëveshjen, duke thënë se “SHBA’ja si një vend demokratik që është, nuk do të munden që pasurinë e dikujt ta vënë në pikëpyetje, duke bërë marrëveshje bilaterale me të ashtuquajturin shtet të Kosovës”.
Marrëveshja për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës është nënshkruar nga Presidentja e Kosovës dhe nga Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, gjatë kësaj jave në Washington.
Clinton ka deklaruar se kjo marrëveshje nxit përkushtimin e SHBA’së dhe Kosovës për të ruajtur, pa diskriminim, trashëgimisë kulturore të grupeve kombëtare, fetare e etnike që ishin viktima të gjenocidit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
”Përkushtimi ynë është që të ruajmë gjithë trashëgiminë kulturore në Kosovë: të krishterë, myslimane, hebreje, serbe, shqiptare. Jemi të përkushtuar që t’ju ndihmojmë në ruajtjen e saj. E kam parë vetë një prej thesarëve kulturorë, Manastirin e Graçanicës, një objekt ortodoks serb që daton nga shekulli XIV, por ai është vetëm një nga shumë objekte të tilla. Është thelbësore që përderisa Kosova po ndërton një shoqëri plurale, një shtet që garanton të drejtat qytetare, të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët e saj, që të gjitha këto objekte të ruhen për qytetarët e Kosovës dhe të Ballkanit, dhe për të gjithë të tjerët në botë, që i ndajnë këto pasuri”, ka thënë Clinton.
Sido që të jetë, Zrnovic ka bërë të ditur se Serbia do të vazhdojë betejën e vet përmes UNESCO’s, kundër “kosovarizimit” të trashëgimisë kulturore, edhe pse është shprehur se kjo temë duhet të depolitizohet.
Një marrëveshje të tillë, SHBA’ja njoftohet se e ka nënshkruar me shumë vende të botës, duke përfshirë edhe me Serbinë dhe Malin e Zi, më 2004, kur këto dy vende përbënin bashkësinë shtetërore SMZ.
Rreth kësaj çështjeje, ka komentuar për mediat serbe edhe analisti Daniel Serwer.
“SHBA’ja e ka njohur Kosovën si të pavarur dhe sovrane, sikur që e kanë bërë edhe 84 shtete të tjera. Nuk ka asnjë dyshim se manastiret ortodokse serbe në Kosovë janë një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së Kosovës. Mbrojtja dhe ruajtja e tyre është është edhe përgjegjësi e Qeverisë në Prishtinë. Pa marrë parasysh statusin dhe se a i njeh Beogradi ata a jo, Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi dhe qeveria e tij janë pushtet legjitim demokratik në Kosovë. Pajtohuni me këtë”, ka thënë Serwer.