Merkel do të pritet me nderime të larta shtetërore

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të arrijë të hënën për një vizitë zyrtare në Kosovë. Me rastin e kësaj vizite, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” do të organizohet pritje e nivelit më të lartë shtetëror.
Këshilltari i ministrit Enver Hoxhaj, Artan Behrami ka thënë përmes telefonit për Kosovapress se vizita e kancelares Merkel do të jetë katër deri në pesë orë, gjatë së cilës ajo do të pritet në nivel të lartë të shtetëror në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ku do të takohet me kryeministrin Thaçi, me të cilin do të mbajnë një konferencë e përbashkët për media.
Merkel gjatë kësaj vizite do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it, Erhard Drews, si dhe përfaqësues tjerë të lartë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.
Ndonëse nuk është bërë e ditur tema e diskutimeve gjatë kësaj vizite, më herët ishte thënë se Merkel gjatë vizitës së saj në Kosovë do të përcjellë mesazhe lidhur me dialogun për çështje teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkohë, zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë konfirmuar se në bashkëpunim me KFOR-in janë duke u kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për përkujdesjen e sigurisë.
“Policia e Kosovës sa i përket kësaj vizite është në finalizim të të gjitha përgatitjeve në bashkëpunim me KFOR-in dhe të gjitha detyrat që do të jenë për Policinë e Kosovës ajo do t’i realizojë, ka thënë Brahim Sadriu përmes telefonit për Kosovapress.
Në samitin e fundit të shefave të shteteve të BE-së, kancelarja gjermane Merkel ishte më e vendosura për refuzimin e kërkesës së Serbisë për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.
Vendosmëria e saj erdhi pasi Beogradi nuk ka përmbushur kërkesat që ajo ia kishte bërë me kohë presidentit të Serbisë, Boris Tadiq lidhur me Kosovën.
Në qëndrimin e fuqishëm të Gjermanisë ndikoi edhe plagosja e disa ushtarëve gjermanë të KFOR-it nga serbët e rebeluar në veri.
Takimi i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi me kancelaren gjermane, Angela Merkel do të mbahet në ambientet e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në ora 11.00.